Dogana e ATK mbushin arkën e shtetit, brenda një viti mblodhën rreth 1.7 miliardë euro

Buxheti i shtetit të Kosovës edhe gjatë vitit 2019 është mbushur nga Dogana dhe Administrata Tatimore. Këto dy institucione kanë derdhur në arkën e shtetit miliarda euro. Dogana vitin e kaluar ka mbledhur afër 1.2 miliardë euro. Kurse, ATK  ka mbledhur afër 500 milionë euro.  Buxheti për vitin 2019 ishte në vlerë prej 2.3 miliardë eurosh. Ndërkaq, buxheti i Kosovës për vitin 2020, sipas kornizës afatmesme, parashihet të jetë rreth 2.4 miliardë euro.

Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës po vazhdojnë të derdhin miliarda euro në buxhetin e Qeverisë së Kosovës.

Këto dy institucione edhe gjatë vitit që lamë pas kanë qenë kontribuuesit më të mëdhenj në buxhet.

Reklama e sponzorizuar

Dogana e Kosovës  gjatë 2019-ës  qëndroi më mirë duke mbledhur afër 1.2 miliardë euro.

“Dogana vazhdon të tregojë një performancë jashtëzakonisht të mirë sidomos në aspektin e të hyrave, në vitin 2019 ka mbledhur afër 1.2 miliardë euro. Nëse i marrim parasysh efektet që kanë pas taksa doganore në import, si lirimi për lëndën e parë për prodhuesin e Kosovës, këtu kemi të bëjmë me efekt rreth 80 milionë euro taksa që nuk janë mbledhur nga prodhuesit. Nëse kësaj ia shtojmë ndikimin e MSA-së e cila është mbi 65 milionë euro, por edhe marrëveshja e tregtisë së lirë me Turqinë që ka hyrë në fuqi nga shtatori. Pastaj ndalimi i lojërave të fatit ku ne mblidhnim akcizë tregon se Dogana vazhdon të tregojë performancë të mirë. Kemi rreth 4 % më shumë së vitin e kaluar”, kanë thënë në Dogana.

Në këtë institucion kanë treguar se kontrabanda ende mbetet sfidë e madhe.

“Kontrabanda është sfidë për Doganën e Kosovës dhe për institucionet tjera të sigurisë në vend. Ne kemi arritur të parandalojmë shumë raste të kontrabandës, nëse flasim vetëm për vijën e gjelbër  apo rrugët malore kemi diku mbi 350 raste vetëm këtë vit, është trendi i njëjtë sikur vitet e kaluara sepse grupet kriminale zakonisht tentojnë të kontrabandojnë produktet që sjelli profit te ta. Më herët ka pasur shumë pak raste të kontrabandimit të produkteve ushqimore”.

Përveç Doganës së Kosovës edhe institucioni tjetër që mbush buxhetin e shtetit, Administrata Tatimore e Kosovës ka mbyllur vitin 2019 me rritje të të hyrave. Vitin që lamë pas ATK ka mbledhur afër 500 milionë euro, mbi 10% më shumë se vitin 2018.

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj ka thënë se kjo vlerë do të ishte shumë më e madhe në rast se nuk do të ndikonin disa faktorë të jashtëm që kanë qenë jashtë ATK-së.

“Ne si institucion gjatë tërë vitit 2019 kemi vazhduar me trend pozitiv të rritjes të hyrave. Deri kur po flasim Administrata Tatimore e Kosovës ka arkëtuar mbi 497 milionë euro ose afër 500 milionë euro. Është trend i rritjes të hyrave në krahasim me vitin e kaluar për mbi 10%”.

I pari i ATK-së ka kërkuar bashkëpunim për identifikim të rasteve të korrupsionit.

“Gjatë këtij viti është rasti i parë që të ngritet një aktakuzë ndaj një zyrtari të ATK-së. Ne si institucion bëjmë përpjekje të jemi  në përputhje me përgjegjësitë. Ne vazhdojmë të bëjmë apel tek të gjithë qytetarët dhe komuniteti i biznesit që të bashkëpunojnë ngushtë me ne, me qëllim të parandalimit dhe identifikimit të të gjitha çështjeve që dëmtojnë interesat e përgjithshëm të shoqërisë”.

Situata e krijuar pas zgjedhjeve me zvarritjen e formimit të institucioneve të vendit  Kosovën e ka lënë pa buxhet të miratuar për vitin 2020.

E nëse buxheti nuk miratohet deri në muajin mars të vitit të ardhshëm, atëherë Kosova rrezikon të përballet me kaos ekonomik e politik.

Buxheti i Kosovës për vitin 2020, sipas kornizës afatmesme, parashihet të jetë rreth 2.4 miliardë euro apo një milion euro më shumë sesa buxheti i vitit të kaluar. Kosova edhe në vitin 2019 pati hyrë pa buxhetin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Buxheti për vitin 2019 në vlerë prej 2.3 miliardë eurosh ishte miratuar në muajin shkurt. /Monitor.al/.