Qeveria e Kosovës në fund të mandatit të saj si qeveri në detyrë ka vazhduar të shpërndajë mjete për prokurime të ndryshme, përkundër faktit se ajo tashmë i ka të kufizuara limitet për shpenzimin e parasë publike.
Më konkretisht, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e udhëhequr nga ministri në largim Endrit Shala, në orët e para të ditës së djeshme, më 13.01.2020, ka shpallur dy procedura tenderimi për dhënie të kontratave me vlera të mëdha, duke i quajtur procedura të negociuara por pa njoftim paraprak të kontratës, përcjell Buletini Ekonomik.
Dy lëndët tenderuese në këtë rast kanë të bëjnë me dy parqet industriale si: “Ndërtimi i Infrastrukturës në Parkun Industrial në Lumadh”, i cili arrin vlerën e 128 mijë e 384 eurove, si dhe “Ndërtimi i Infrastrukturës në Parkun Industrial në Shirokë”, i cili do të kushtojë gjithsej 238 mijë e 653 euro. Tenderë këta që sipas MIN ishin si më të përgjegjshmit me çmimet më të ulëta.
Kjo e fundit madje është cilësuar si Aneks-kontratë, që do të thotë se aty do të kryhen punë shtesë, pasi kontrata për Parkun Industrial në Shirokë i ishte dhënë operatorit “Famis CO-HC” nga Prizreni më 3 shtator të 2019.
Ndërkaq, tenderin për parkun Industrial në Lumadh e ka fituar Operatori Ekonomik ” ERST BAU ” SH.P.K.; Alba Konstruksion, nga Suhareka.
Të dy këto njoftime për dhënie të kontratave janë shpallur në të njëjtën ditë ditë dhe në të njëjtën orë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. /Buletini Ekonomik/