Ferizaj, hetohen projektet e disa rrugëve me dyshimin për cilësi të dobët ndërtimi

Prokuroria Themelore në Ferizaj në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Departamentin për Krime Ekonomike, kanë nisur hetime lidhur me disa projekte mjaft madhore në Komunën e Ferizajt nën dyshimin e cilësisë së dobët të punimeve.

Hetimet fillestare kanë nisur në projektin e rrugës Dremnjak, pastaj në Komogllavë dhe projekti i rrugës Rahovicë – Kishnapolje, duke grumbulluar fakte në terren, shkruan sot “Koha Ditore”.

Këto institucione kanë nisur hetime pas publikimit të disa artikujve të gazetës “Koha Ditore” lidhur me zvarritjen e disa projekteve kapitale në Ferizaj dhe nën dyshimin e cilësisë së dobët të punimeve.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë në fund të vitit të kaluar shqetësime dhe raporte rreth këtyre projekteve milionëshe janë publikuar edhe nga rrjeti i OJQ-ve “Avonet”. Burime të gazetës brenda Departamentit për Krime Ekonomike në Ferizaj kanë thënë se tashmë kanë nisur hetimet fillestare pas asfaltimit të rrugës në Dremnjak dhe Rahovicë –Kishnapolje.