Dy gjyqtarë të Gjykatës Themelore të Prishtinës janë gjetur në konflikt interesi nga Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK). Sinisha Borisavleviq, gjyqtar në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe Fatmir Aliu i së njëjtës Gjykatë-Dega në Podujevë, në të njëjtën kohë, kanë qenë edhe persona të autorizuar në biznese private.
E kjo, sipas Kundërkorrupsionit, është në kundërshtim me Ligjin nr. 06/L-011 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, shkruan sot “Koha Ditore”.
Agjencia kishte filluar t’i trajtojë këto raste të ndara, pasi kishte identifikuar se Sinisha Borisavleviq krahas ushtrimit të funksionit publik ishte edhe person i autorizuar në biznesin privat “Sinisha Borisavleviq” B.I.
Ndërsa, Fatmir Aliu, person i autorizuar në biznesin “Fatmir Al. Aliu” B.I. Agjencia, nëpërmjet shkresave zyrtare, i kishte njoftuar zyrtarët e lartë për fillimin e procedurave për shqyrtimin e gjendjes së konfliktit të interesit dhe pas kësaj kishte organizuar edhe takime me ta në zyrat e AKK-së.