Grenell paralajmëron marrëveshjen e radhës ndërmjet Kosovës e Serbisë

Pas marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për linjën ajrore që lidh dy kryeqytetet, me ndërmjetësimin e Richard Grenell, emisarit të Presidentit Donald Trump, dy palët kanë rënë parimisht dakord për linjën hekurudhore.

Kështu ka paralajmëruar Grenell të premten në një konferencë për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Reklama e sponzorizuar

“Unë dua të fokusohem në krijimin e një ekonomie dinamike. Do t’ua lë politikën juve, të gjithëve. Dua po ashtu të them, faleminderit për këtë idenë e re për hekurudhën. Kemi një marrëveshje në parim me të dyja palët”, ka thënë Grenell.

Ambasadori i ShBA-ve në Gjermani njoftoi se grupet e ekspertëve nga të dyja palët do të takohen të hënën në Berlin.

Në këtë konferencë, Grenell po ashtu ka thënë se Kosova duhet t’i heqë taksat, ndërsa Serbia ta ndërpresë fushatën kundër njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

“Kjo duhet të ndodhë në kohë të njëjtë, dhe të jem i sinqertë, mendoj se së shpejti do të ndodhë. Komuniteti i biznesit dëshiron që kjo të ndodhë, njerëzit e thjeshtë bëjnë thirrje për këtë. Kjo është ajo që duam të arrijmë. Që njerëzit të lëvizin përpara, që të hapen vende të reja të punës dhe të braktisen çështjet politike nga e kaluara”, ka thënë Grenell. /Insajderi.com/