Për 1 muaj katër persona kanë vdekur nga gripi sezonal në Kosovë. Ndërkohë që një paciente tjetër (39 vjeçare) është në gjendje të rëndë shëndetësore. Të prekur me grip në QKUK ka edhe fëmijë. Nga ta njëri është më rëndë.
Pra pak muajve u bë nënë. Por, 27-vjeçarja nga Prishtina nuk arriti ta shijojë gjatë ndjenjën amësisë. Kjo grua e lindur në vitin 1992, kishte disa javë që ishte e shtrirë në Klinikën Infektive të QKUK’së me simptoma të gripit sezonal.
Nga analizat e bëra pranë Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, u vërtetua se pacientja në fjalë ishte e prekur rëndë nga gripi me influencën A.
Ajo vdiq të mërkurën e 28 janarit, pak ditë nga shtrirja në Infektivën e QKUK’së duke çuar kështu në katër numrin e pacientëve që kanë vdekur nga gripi sezonal brenda një muaji në Kosovë. Detaje për këtë rast ka dhënë të enjtën infektologu i Klinikës Infektivë pranë QKUK’së, Valbon Krasniqi.
“Gjatë javës së fundit ne kemi pasur katër pacientë në kujdesin intensiv, dy ditët e fundit, dy nuk arritur të mbijetojnë dhe kanë ndërruar jetë . Një pacient i lindur me 1974 i cili ka ndërrua jetë dje herët në mëngjes s’ka pas të dhëna që ka pas më herët sëmundje të caktuar, ndërsa një grua e re e lindur në vitin 1992 ka vdekur, ajo më herët ka pas edhe një intervenim kirurgjik dhe kjo ja ka renduar gjendjen”, ka deklaruar Krasniqi.
Ndërkohë sipas tij, në kujdesin Intensiv pranë kësaj klinike vazhdon të mbetet edhe një paciente, grua e moshës 39-vjeçare.
“Në kujdesin intensiv vazhdon të mbetet një pacient në gjendje të rëndë e cila është femër dhe e cila është e kyçur në aparatin respirator”, deklaron doktori.
Krasniqi thekson se ditëve të fundit është shtuar numri i pacientëve të cilët janë duke kërkuar ndihmë nga prekja e gripi. Nga ta ka edhe fëmijë të shtrirë në Klinikën ku ai operon. Por që gjendja e tyre shëndetësore, paraqitet të jetë stabile.
“Këtë javën e fundit dhe ditët e fundit kemi pas një numër të shtuar të pacienteve me grip dhe i kemi ndalur për diagnostikim dhe trajtim të mëtutjeshëm. Kemi edhe shtatë a tetë pacientë me influencën A, por kemi edhe disa raste me influencën B”, thotë ai duke sqaruar se janë edhe tre fëmijë duke u trajtuar nga gripi.
“Në klinikën tonë kemi tre pacientë të moshës fëmijërore, dy të moshës 4-vjeçare,e një të moshës 7 vjeçare”, sqaron infektologu.
Ndërkohë një fëmijë është në gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e gripit sezonal. Pediatri Dr. Ramush Bejiqi ka thënë se fëmija ka edhe probleme me zemër.
Bejiqi ka thënë për mediat se janë duke bërë çmos për t’ia shpëtuar jetën. Ai ka theksuar se fëmijët që kanë edhe probleme të tjera shëndetësore janë shumë të rrezikuar nga gripi.
“Tani për momentin kemi një fëmijë, i cili është edhe me probleme komplekse të zemrës, por edhe i prekur nga gripi dhe që është në gjendje të rëndë. Ne po bëjmë çmos për të, por mund ta humbim luftën për shkak të komplikimeve që zhvillohen te ky fëmijë. Fëmijët që kanë sëmundje kronike, sëmundje në mushkri e në veshkë janë shumë të rrezikuar”, ka deklaruar ai.
Por megjithëkëtë, gjatë sezonit të gripit janë edhe 16 mijë kosovarë të tjerë të cilët janë të prekur.
Ndërkaq numri më i madh i rasteve me grip është raportuar nga Komuna e Prishtinës dhe Prizrenit. Megjithëkëtë ajo shton se gripi nuk ka kaluar pragun epidemik. Por megjithëkëtë, nga Instituti Kombëtarë vazhdimisht apelojnë tek Ministria e Shëndetësisë që ta rrisin vigjilencën kundrejt këtyre rasteve.
“Instituti Kombëtar apelon te të gjithë drejtorët Rajonal të Shëndetësisë Publike, që të ngrihet niveli i vigjilencës dhe raportimit të rasteve të dyshimta në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private në Kosovë. Inspektorati shëndetësor duhet të mbikëqyrë të gjitha Institucionet shëndetësore të Kosovës, për të urdhëruar për obligimin ligjor të paraqitjes së sëmundjeve ngjitëse”, deklarojnë nga IKPSh’ja.
Rastet me grip në Institutin Kombëtar raportohen nga të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, me përjashtim të komunave me popullatë serbe.
Ndërkaq, viti 2018, ishte përmbyllur me 11 persona të vdekur nga gripi sezonal, çka atë kohë kishte ndikuar që në Kosovë të shpallej gjendje epidemike e gripit.