Grupi qytetar kërkon që zona e Badovcit të shpallet peizazh i mbrojtur

Pas insistimeve të disa këshilltarëve komunal, përfaqësuesi i Grupit për Mbrojtjen e Liqenit të Badovcit, Ali Sefaj është lejuar t’i paraqesë kërkesat e grupit.

“Ndërtimi i kësaj lagjeje jo vetëm që e rrezikon Badovcin por krijon rrezik për ndërtime të tjera. Grupi kërkon që te marrë vendim, t`i marrë parasysh kërkesat e qytetarëve”, ka thënë Sefaj.

Ai ka parashtruar kërkesat në adresë të komunës së Prishtinës.

Reklama e sponzorizuar

Grupi ka kërkuar anulimin e vendimit për kushtet ndërtimore për Rahim Haradinin.

“Të pezullohen të gjitha vendimet dhe procedurat për dhënien e: Kushteve Ndërtimore dhe Lejeve Ndërtimore në Zonën I, II dhe te III mbrojtëse të Badovcit deri në nxirren e dokumenteve të reja të planifikimit (Hartës Zonale, Planit Zhvillimor Komunal dhe Planeve Rregulluese të Hollësishme) si dhe të fillohen procedurat që zonën përreth Liqenit të Badovcit të shpallet peizazh i mbrojtur duke e bashkuar me peizazhin e Mbrojtur të Gërmisë dhe në vendim të shënohet që ndalohen të gjitha llojet e ndërtimeve në këtë zonë”, ka paraqitur Sefaj kërkesat e Grupit për Mbrojtjen e Liqenit të Badovcit.

Opozita e akuzon PDK-në për politizim të çështjes së Badovcit

Këshilltarët komunal nga opozita e kanë akuzuar PDK-në për politizim të çështjes së Badovcit.

Agim Gashi nga LDK-ja, ka thënë se kjo seancë nuk duhet të jetë në funksion të propagandës, por që të kundërshtohet ndërtimi i paralajmëruar në Badovc. Kolegu i tij nga partia, Halim Halimi ka thënë se i mbështesin kërkesat e Grupit për Mbrojtjen e Liqenit të Badovcit, raporton Koha.net.

“Jam përkrahës i iniciativës qytetarë që të pezullohen vendimet deri në nxjerrjen e dokumenteve të planifikimeve. Kompanitë shikojnë fitimin e vet. Na e kemi votu PZHK-në, por ke qenë i obliguar me e bo hartën zonale”, ka thënë Halimi.

Kurse Eman Rrahmani nga Vetëvendosje ka thënë se është dashur që kërkesat t`i paraqes grupi i qytetarëve, për të mos u politizuar çështja. 

Refuzohet diskutimi i qytetarëve në seancën e Kuvendit të Prishtinës

Në seancëne sotme morën pjesë edhe disa qytetarë, për të cilët kryesuesi Agim Kuleta ka thënë se nuk kanë të drejtë të flasin. Për këtë shkak, njëri nga ta e ka braktisur mbledhjen demonstrativisht.

Këshilltari i PDK-së, Leotrim Retkoceri, partia e të cilit e ka iniciuar këtë seancë, ka kërkuar që të mos lejohen shkeljet ligjore dhe të mbrohet uji i pijshëm i Prishtinës.

“Kjo seancë është mundësi që komuna të sqarohet deri në fund. PDK është kundër ndërtimeve në Badovc që shkelin ligjet dhe planet rregulluese”, ka thënë Retkoceri.