Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa është deklaruar lidhur me rrjedhën e bisedimeve me Lëvizjen Vetëvendosje për bashkëqeverisje. Mustafa ka thënë se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti duhet ta shfrytëzojë maksimalisht mandatin që ka, meqenëse askush nuk e di se çfarë do të ndodhë pas datës 4 shkurt, atëherë edhe kur përfundon afati i Kurtit për të krijuar Qeverinë.
I pari LDK’së ka thënë se ende ka gjasa për koalicion me Vetëvendosjen, por pa hequr dorë nga oferta e LDK-së që përfshin kërkesën që posti i kryeparlamentarit t’i takojë kësaj partie.
“Mendoj se kjo është çështje e Vetëvendosjes, që z. Kurti duhet ta shfytëzojë maksimalisht mandatin që e ka. Ajo pas datës 4 shkurt është një periudhë që asnjëri prej nesh nuk e di se çfarë do të ndodhë. Nuk mund të japë një përgjigje të tillë. Ne vullnetin tonë e kemi pasur dhe e kemi ta përmbyllim këtë koalicion me Vetëvendosjen, por natyrisht duke respektuar njëra- tjetrën si palë të kësaj marrëveshjeje”, ka thënë Mustafa.
E nëse nuk arrihet një marrëveshje e tillë, Mustafa ka thënë se do ta votojnë Qeverinë Kurti, por jo pa kushte.
“Tash ne jemi shprehur më datën 26 dhjetor se në qoftë se do të thotë na ndahen rrugët me Lëvizjen Vetëvendosje dhe ata nuk vazhdojnë edhe më tutje negociatat me ne dhe bashkëqeverisjen me ne, atëherë ne do të votojmë një qeveri të tillë, por jo pa kushte. Duhet të dimë se çfarë do të jetë ajo qeveri, çfarë programi do të ketë, çfarë i ofron Kosovës, sepse nuk kemi mundësi që jashtë përgjegjësisë sonë të votojmë e pastaj e të mos dimë se çfarë do të bëjë ajo qeveri”, ka thënë Mustafa në një intervistë për rtv21.
Ndryshe, vetëm edhe pesë ditë i kanë mbetur kohë të mandatuarit për kryeministër, Albin Kurti për krijimin e qeverisë së Kosovës.
Kreu i VV-së saktësisht ka afat deri të martën që të arrijë marrëveshje me LDK-në, kur duhet ta paraqet para Kuvendit të Kosovës përbërjen e Qeverisë.