Në Ligjin e ri për mbrojtjen e konsumatorëve janë bërë ndryshime dhe plotësime të rëndësishme rreth marrëveshjeve të kredive për konsumatorë, thuhet në analizën e Institutit “GAP”, “Mbrojtja e konsumatorëve në sektorin bankar”.
Me ligjin e ri, informacioni para-kontraktor tani duhet të përfshijë të dhëna mbi llojin e kredisë dhe një shembull që përmban supozimet e përdorura për të llogaritur normën efektive të interesit (NEI).
Nga ky ligj buron dhe formulari i informatave mbi kreditë e konsumatorëve, formati i të cilit është përcaktuar me akt nën-ligjor nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) dhe është në fuqi nga 1 marsi 2019. Ky formular përmban informata të detajuara rreth llojit të kredisë së synuar nga kredimarrësi potencial, si dhe informata të rëndësishme rreth palëve të përfshira në procesin e kredimarrjes, duke futur këtu dhe garantuesit.
Po ashtu, në Ligj është plotësuar pjesa për para-kontratat për kreditë në formën e mbitërheqjes dhe për marrëveshje të veçanta të kredisë, ku ndër të tjera, kredidhënësit do të ofrojnë informacion të mjaftueshëm në mënyrë që konsumatorët të krahasojnë oferta të ndryshme. Kurse, për mbi-tërheqjet dhe kreditë që paguhen brenda muajit, konsumatorët duhet të njoftohen të paktën rreth shumës totale të kredisë, normës së interesit, ndryshimit potencial të tarifave të aplikueshme, si dhe t’i jepet një shembull ilustrues lidhur me normën e llogaritur dhe njoftohet që mund t’i kërkohet që të paguajë shumën e kredisë në çdo kohë.
Në Ligjin e ri, në rast të refuzimit të aplikimit për kredi bazuar në të dhënat e Regjistrit Kreditor të Kosovës (RKK), kredidhënësit duhet të njoftojnë aplikuesit rreth vendimit që është bazuar tërësisht nga konsultimi i të dhënave në fjalë rreth historisë kreditore duke dhënë edhe detaje rreth atyre të dhënave. Në rast se kredimarrësit dëshirojnë të shlyejnë kredinë para afatit të maturimit, sipas ligjit, kredidhënësit duhet që brenda 15 ditëve të kompletojnë procedurat e mbylljes së kredisë. Në ligjin e kaluar nuk kishte një afat kohor për mbylljen e kredisë.
Gjithashtu, është ulur tavani i kompensimit për kredidhënësit ku kompensimi i tyre në rast të shlyerjes së parakohshme të kredisë nga kredimarrësi, afati i maturimit të të cilave është mbi një vit, nuk kalon 1% të shumës së kredisë së paguar para afatit. Në ligjin e vjetër lejohej kompensimi prej 2%. Ngjashëm është ulur kompensimi për kreditë e shlyera para kohës që kanë afat të maturimit nën 1 vit nga 1% në 0.5%.
Në ligjin e ri është shtuar edhe pjesa rreth kontratave financiare në distancë, të arritura përmes mediumeve të komunikimit, mirëpo që në rastin e Kosovës përkundër ekzistimit të një baze ligjore edhe rreth nënshkrimit elektronik nuk gjen ende zbatim. /Buletini Ekonomik/