11 të akuzuarit në rastin “Pronto” sot janë liruar nga të gjitha akuzat.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ish-deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti dhe tetë të akuzuarit tjerë janë shpallur të pafajshëm për veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, Shashivar Hoti, nuk ka pasur prova se të akuzuarit kanë kryer veprën penale më të cilën ngarkohen.
Për çfarë akuzoheshin Grabovci, Beqaj, Pajaziti dhe të tjerët?
Adem Grabovci, ishte njëri nga më të fuqishmit – që afera “Pronto” shpërfaqi.
Fuqia e tij para tri vjetësh dhe strukturës së Partisë Demokratike të Kosovës u dëshmua me një seri përgjimesh telefonike që i kishte publikuar Insajderi.
Vetëm për dy muaj, nëntor – dhjetor 2011, ai kishte punësuar qindra njerëz, zgjedh dhjetëra kryetarë e anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura. Heq nga lista njerëz që në teste dalin të parët për pozita udhëheqëse. Ndërron komisione për konkurse. Madje i anulon konkurset në ato raste kur njerëz të tij nuk marrin pikë të mjaftueshme. Pos kësaj, Grabovci punëson njerëz të vetë në Policinë e Kosovës, zgjedh prokurorë e gjyqtarë.
“Pronto” dëshmon edhe për afrinë e Aleksandër Lumezit me PDK-në
Në mesin e këtyre incizimeve mes njerëzve me ndikim të PDK-së, temë kyçe ishte çështjes nëse kryeprokurori Aleksandër Lumezi do të bëhej pjesë e partisë.
Bisedat e vitit 2011 mes Adem Grabovcit, Kadri Veselit, Besim Beqajt dhe Hashim Thaçit, lënë të kuptohet për afrinë e Lumezit me PDK-në, në kohën kur ai ka qenë kryeprokuror i Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë.
“Në vitin 2011, kryeprokurori Aleksandër Lumezi kishte tentuar të bëhej pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës. Kjo bëhet e ditur nga përgjimet e papublikuara deri tash, të cilat i ka siguruar Kohavisioni”, “Adem Grabovci, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Besim Beqaj dëgjohen teksa përpiqen të sigurojnë një pozitë për kryeprokurorin që asokohe ishte kryeprokuror i Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë”.
Madje, në njërën prej bisedave “Kadri Veseli kishte thënë se Leka mund t’i ndihmojë edhe nga pozita ku ishte, për çka kishte mbështetjen e tyre”.
Biseda e parë, e zhvilluar mes ish-kreut të Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, dhe ministrit të atëhershëm nga radhët e PDK-së, Besim Beqaj, thuhet të jetë bërë në kohën kur Grabovci dhe Beqaj kishin koordinuar një takim me Lumezin, në të cilin Grabovci ishte vonuar paksa.
Se Lumezi ishte afërt me PDK-në, tregon edhe ish-prokurori special, Elez Blakaj, i cili pas disa ditësh dha dorëheqje nga pozita e prokurorit për rastin e “Veteranëve”.
Ai përmes një postimi në rrjetin e tij social, Facebook, ka treguar për kërcënimet e presionet, që thotë se ka pasur gjatë kohës sa po hetonte rastin e veteranëve të UÇK-së.
Në këtë shkrim, ai ka përmendur kërcënimet që thotë se i ka pasur nga njerëz të ndryshëm, që nga koha kur kishte nisur intervistimet lidhur me hetimet e tij.
Ai në këtë letër, ka përmendur edhe Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili sipas tij, e kishte thirrur në një takim urgjent, siç thotë, duke kërkuar sqarime se pse e kishte intervistuar Kryetarin e Kuvendit dhe kreun e PDK-së, Kadri Veseli.
“Ata kanë imunitet, nuk ka nevojë me i thirr”, thotë t’i ketë thënë Kryeprokurori Lumezi, tashmë prokurorit të dorëhequr, Elez Blakaj.
Lidhjet e Adem Grabovcit dhe Besim Beqajt me Hashim Thaçin
Përgjimet e “Dosjes së Shefave” të publikuara nga Insajderi kishin zbuluar se Grabovci e Beqaj kishin marrë kompetenca të plota nga Hashim Thaçi, që në krye të tri ndërmarrjeve publike, PTK, Infrakos dhe Traikos të vendoseshin njerëzit që përfaqësonin interesat e tyre dhe po ashtu dëshmojnë se këto plane që ishin finalizuar me emërime.
Dosja pati zbuluar se ky grup njerëzish me bekimin e Thaçit kishin arritur që të ndikonin edhe në emërime brenda sistemit të drejtësisë në vend.
I tillë ishte edhe emërimi për anëtar të Bordit të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Bahri Hyseni, edhe pse ai nuk kishte konkurruar fare për këtë pozitë.
Grabovci së bashku me ish-ministrin e Ekonomisë dhe Financave, Besim Beqaj e kishin vlerësuar si njeri të duhur për këtë pozitë. U duhej shumë aty.
Hyseni nuk e kishte pranuar këtë vend pune. Donte diku tjetër. Megjithatë, linte të hapur mundësinë që kudo që vendosin “Shefat”, ai do të pranonte.
Hyseni ka qenë deputet i Partisë Demokratike të Kosovës. Ai ka mbajtur edhe pozita tjera në kuadër të kësaj partie që nga përfundimi i luftës.
Jo shumë kohë pas kësaj bisede, Hyseni është bërë prokuror në Prokurorinë Themelore të Ferizajt. Pos kësaj, është anëtar i Komisionit për Akte Normative në Këshillin Prokurorial të Kosovës.
“E pash në disa vena, po a je dakord për KOSTT”, e pyet Grabovci në këtë bisedë. Hyseni, nuk ka ide se çfarë është KOSTT-i.
Pasi, Grabovci ia sqaron se për çfarë bëhet fjalë dhe rëndësinë që ka ky institucion rregullativ për PDK-në, Hyseni tregon se nuk ka konkurruar.
Fuqia e Grabovcit brenda strukturës së Partisë Demokratike të Kosovës dëshmohet edhe në një rast tjetër.
Grabovci punëson njerëz të vetë në Policinë e Kosovës, zgjedh prokurorë e gjyqtarë. Mes tyre, Sali Mekajn e bën kryetar të Gjykatës së Apelit, Sylë Hoxhën e bën kryeprokuror të Prizrenit. Kërkesa të shumta për ta takuar Grabovcin bën Haxhi Dërguti, atë kohë prokuror në Prokurorinë e Qarkut të Prishtinës. Aktualisht, Dërguti është kryeprokuror i Prokurorisë së Apelit.
Gjithë këto veprime Grabovci i bën me dijeni dhe në bashkëveprim me Hashim Thaçin, president i Kosovës të cilin e quan “shef”.
Insajderi ka siguruar mbi njëmijë biseda të përgjuara telefonike të nxjerra me vendim gjykate të Adem Grabovcit, gjatë nëntorit dhe dhjetorit të vitit 2011. Ishte hetuar nga EULEX-i.
Asokohe, Grabovci, shef i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës hetohej për vepra penale të krimit të organizuar, shpërdorimit të detyrës zyrtare e lidhje kontratash të dëmshme. Këto veprime dyshohej se i kishte kryer gjatë kohës sa ishte zëvendësministër i Transportit dhe Postë-Telekomit.
Kjo ministri drejtohej nga Fatmir Limaj, i cili po përballet me një gjykim për vepra të njëjta penale për të cilat dyshohej Grabobvci.
Hetimi për Grabovcin ishte mbyllur në mungesë provash. Por, përgjimi i tre numrave telefonik ka zbuluar se Grabovci përdorte gjithë fuqinë dhe autoritetin zyrtar për të kryer punë në interes të njerëzve të tij, të militantëve partiakë dhe për të dëmtuar të tjerë që nuk i përkisnin linjës dhe interesit të tij.
Gazeta online Insajderi ka përzgjedhur një seri përgjimesh telefonike që lidhen me veprimet politike, ndërhyrjet në punën e Kuvendit dhe deputetëve, ndikimin ndërkombëtar mbi PDK-në dhe Hashim Thaçin dhe votimin me çdo kusht të dy ligjeve të kontestueshme atë kohë: atë për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Ligjit për Hoqën e Madhe të Rahovecit.
Ndikimi i njerëzve të përgjuar shtrihet mbi secilin institucion të Kosovës, përfshirë pushtetet e pavarura. Ai ka ndikim mbi sistemin gjyqësor, atë prokurorial, mbi Policinë e Kosovës, mbi media siç është Televizioni Publik, disa gazeta ditore, mbi një televizion privat dhe mbi shumë gazetarë.
Grupi i tij politik kontrollon Universitetet, zgjedh për anëtarë bordesh zyrtarë të lartë partiakë si dhe cakton udhëheqës të këtyre institucioneve. /Insajderi.com/