Komuna lëshoi kushtet e ndërtimit buzë Badocit, shkeli vendimin që e shpall atë zonë të mbrojtur

Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës më 20 dhjetor të vitit të kaluar ka lëshuar vendimin për caktimin e kushteve ndërtimore për projektin pranë Liqenit të Badocit, shkruan sot Koha Ditore.

Aplikimi për kushte ndërtimore është bërë nga pronari i tokës, Rahman Haradini. Në dokumentin të cilin e ka parë gazeta shkruan se “lëshimi i saj bëhet në përputhje me Planin Zhvillimor të Komunës së Prishtinës”, i cili është miratuar nga Kuvendi Komunal në gusht të vitit 2013 dhe sipas hartës të paraqitur në të, një pjesë e zonës afër Liqenit të Badocit shënohet si e urbanizuar. Megjithatë, kjo është në kundërshtim me një vendim të Qeverisë së Kosovës të 24 prill 2013, i cili e ka shpallur Liqenin e Badocit zonë të mbrojtur.

Qëllimi i vendimit të Qeverisë është që të mbrojë burimin ujor, akumulimin e Badocit nga ndikimet negative të cilat mund të dëmtojnë gjendjen normale dhe të qëndrueshme të ujit nga aspekti i cilësisë dhe sasinë. Me këtë vendim, sipas Qeverisë, sigurohen zhvillimi dhe shfrytëzimi i qëndrueshëm i resurseve ujore-akumulimi i Badocit, i cili është i domosdoshëm për shëndetin publik, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin shoqëror-ekonomik të Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

Ky vendim cakton zonat e mbrojtura të burimit. Në zonën e dytë që investitori planifikon të ndërtojë projektin e që përfshin brezin e akumulimit me gjerësi 200 metra përgjatë nga kufiri i jashtëm i zonës I të mbrojtjes, që është brezi përgjatë akumulimit në gjerësi prej 10 metrash nga kufiri i nivelit më të lartë të ujit, parashihen një varg të ndalesave. Në mesin e tyre edhe ndërtimin e objekteve për turizëm ose rekreacion dhe objekteve të tjera të cilat mund të rrezikojnë cilësinë e ujit.