Limak i detyroi punëtorët të punojnë deri në 12 orë

Me 17 prill të këtij viti, Kreu i Sindikatës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP), Bashkim Latifi, kishte drejtuar një kërkesë për interpretim ligjor nga Ministria e Punës rreth kujdestarive në Aeroport.

Kryesindikalisti në letrën që e ka siguruar Buletini Ekonomik i kërkonte kësaj ministrie të dijë se a kanë të drejtë punëtorët të kompensohen për orët shtesë. Ai thirrej në një vendim të menaxhmentit të Aeroportit që i obligonte punëtorët që në fundjavë të punonin deri në 12 orë, pa u kompensuar për orët shtesë.

Sipas Ligjit të Punës për orët shtesë punëtorët kanë të drejtë në kompensim shtesë.

Reklama e sponzorizuar

Por Limak bazuar në letërkëmbimin që e ka siguruar Buletini Ekonomik, nuk i kompensoi asnjëherë punëtorët. Kjo përkundër faktit se përgjigja e ministrisë u jepte të drejtë atyre.

“Ju drejtohem me kerkese zyrtare per te na dhene nje opinion ligjor nga zyra ligjore e MPMS-se lidhur me dilemat e ngritura tek udheheqja e Aeroportit persa i takon kujdestarive te fundjavave ku punohet 12 ore diten dhe te nesermen 12 ore naten por qe nuk paguhet ashtu siç paguhen ndrrimet ne QKUK, apo ASHNA dhe nderrmarrje tjera qofte publike apo private te cilat shperblehen me 50% te te pages per oret e fundjaves e drejt kjo e cila ju mohohet punetoreve te Aeroportit edhe perkunder specifikave te punes dhe pergjegjesise se larte ne pune ku gabimi me i vogel mund te shendrrohet ne tragjedi njerezore”, thuhet në letrën e Sindikatës për këtë ministri.

Nuk kishte vonuar shumë përgjigja e Gjylinaze Nobrdali-Gola, Udhëheqëse e Zbatimit të Legjislacionit në Departamentin Ligjor/MPMS.

Zyrtarja e ministrisë në përgjigjen e saj duke cituar Ligjin e Punës konfirmon se “të puënsuarit i takon paga shtesë në përqindje të pagës bazë”.

“20% në orë për kujdestari; 30% në orë për punë gjatë natës; 30 % në orë për punë jashtë orarit; 50% në orë për punë gjatë ditëve të festave dhe 50% për qind në orë për punë gjatë fundjavës”, thuhet në letrën e zyrtarës së Ministrisë së Punës drejtuar Sindikatës.

Përkundër kësaj, kompensimi nuk u bë dhe punëtorët në Aeroport vazhdojnë të punojnë deri në 12 orë në fundjavë pa u kompensuar. Për këtë dhe arsye tjera, Sindikata e Aeroportit ka mbajtur një protestë dhe ka paralajmëruar të tjera ditëve në vazhdim.  /Buletini Ekonomik/