Konjufca takon sindikatat: Mundësitë për buxhet, të pakta

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca  i është përgjigjur kërkesës së SBASHK-ut, FSSHK-së dhe SPK-së për një takim në të cilin do të shpreheshin shqetësimet  e mijëra të punësuarve në këta sektorë nga paralajmërimet  se në mungesë eventuale të Ligjit të aprovuar për buxhetin e vitit 2020  gjithë të punësuarit në Kosovë mund të mbesin pa pagat e tyre nga marsi 2020 e tutje.

Kryetari i SBASHK-ut Rrahman  Jasharaj, i FSSHK-së Blerim Syla  dhe kryetarja e SPK-së , Valbona  Kamberi  kanë shprehur shqetësimet e tyre në emër të mijëra anëtarëve që përfaqësojnë  duke kujtuar se  pas zhgënjimit që ndodhi lidhur me ligjin e pagave,  nëse  ndodh që të mos ketë as Ligj të buxhetit dhe procedim të pagave, atëherë situata do të jetë tepër e tensionuar dhe mund të ndodhin edhe veprime  e reagime nga më të ndryshmet , sepse si thanë  ata, shumica e të punësuarve në  këta sektorë jetojnë nga paga e tyre dhe do të jenë të paparashikueshme  reagimet e tyre nëse mbesin fare pa paga, aq më keq kur shumica janë edhe në kredi në bankat e ndryshme.

Konjufca  është shprehur se këtë shqetësim e ka edhe ai  dhe se ka shqyrtuar me ekspertë mundësitë eventuale që Kosova ta ketë Ligjin e buxhetit për vitin 2020  për të mos ardhur në situatën e mbetjes pa paga  të mijëra të punësuarve në sektorë të ndryshëm, por në situatën aktuale  mundësitë  për të pasur një Ligj të buxhetit janë të vogla.

Reklama e sponzorizuar

Ai është shprehur se do të bëj gjithë angazhimet që në bashkëpunim me gjithë palët tjera  të gjejnë një zgjidhje të lejuar ligjërisht.

SBASHK-u, FSSHK dhe SPK kanë bërë apel te gjithë deputetët dhe subjektet politike  që të angazhohen për të gjetur zgjidhje.