Konkurrenca e ‘gëlltit’ Telekomin: Kush janë liderët në tregun e telekomunikimeve në Kosovë?

Posta dhe Telekomi i Kosovës

Telekomi i Kosovës dikur ishte kompani lider për telefoninë mobile e atë fikse, por sot nga mungesa e investimeve dhe rritja e konkurrencës, kjo ndërmarrje po tkurret vazhdimisht.

Ndarja e tregut të telokomunikimeve në Kosovë ka pësuar ndryshime të mëdha sa i përket rritjes se disa operatorëve të rinj, përcjell Buletini Ekonomik.

Buletini Ekonomik ka krahasuar të dhënat të publikuara nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) nga viti 2015 deri në vitin 2019. Telekomi i Kosovës është ndërmarrja më rënien më të madhë në të gjitha kategoritë.

Reklama e sponzorizuar

Te telefonia mobile, Telekomi në vitin 2015 ka pasur 60.1% të tregut. Në vitin 2019, kjo ka rënë në 49.35%.

Në anën tjetër, IPKO ka shënuar ngritje në këtë kategori. Derisa me 2015, kjo kompani në telefoninë mobile ka pasur 37.9%, sot e mbulon 40.43% tregut.

Por rënien më të madhe Telekomi e ka te telefonia fikse. Në vitin 2015 e mbulonte 85% të tregut, ndërsa sot e mbulon 50% të tregut. Edhe këtu rritje në treg ka IPKO. Prej 13% të tregut me 2015, kjo kompani sot mbulon 19% të tregut. Rritje te vogël ka edhe Kujtesa, që e mbulon vetëm 3% të tregut të telefonisë fikse.

Sa i përket internetit, Telekomi tashmë nuk është as në top treshe. Për një kohë të shkurtër vendin ia ka zënë Artmotion, me 14.66% mbulueshmëri të tregut. Telekomi është në vendin e katërt me 8.01% mbulueshmëri të tregut, derisa në vendin e parë është IPKO me 35.58% dhe Kujtesa në vendin e dytë me 24.56% të tregut. /Buletini Ekonomik/