Kosova ka nisur vitin 2020 pa buxhet të miratuar shkaku i vonesave për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, i cili është institucioni kyç për kalimin e buxhetit.
Megjithatë edhe pas konstituimit të tij më 26 dhjetor të vitit të kaluar deputetët ende nuk janë mbledhur për t’ia dhënë dritën jeshile miratimit të tij. Nga njohësit e rrethanave vlerësohet se mosmiratimi i tij deri në prill çon vendin në kaos.
Vitin 2020 Kosova e ka nisur pa buxhet të miratuar. Ndonëse për tre muajt e parë të këtij viti nuk pritet që të ketë problem, në rast të mosmiratimit të buxhetit deri në muajin prill rrethanat mund të ndryshojnë. Nëse kuvendarët nuk e kalojnë buxhetin për këtë vit, nga muaji prill ndalen të gjitha pagesat për paga, për pensione e për shërbime të tjera. Kjo gjë sipas njohësve të çështjeve ekonomike sjell kaos, krizë financiare e buxhetore në vend.
Në anën tjetër zyrtarë nga Qeveria e Kosovës i kanë thënë “Zërit” se ka buxhet të mjaftueshëm për t’i mbuluar tre muajt e parë të këtij viti. Deri më tani është e miratuar vetëm korniza afatmesme e shpenzimeve 2020 – 2030, e cila paraqet dokumentin kryesor, mbi bazën e të cilit do të duhej të hartohej buxheti vjetor për vitin 2020. Sipas kësaj kornize, buxheti i Kosovës parashihet të jetë rreth 2.4 miliardë euro. /Zëri/