Kosova para kolapsit – Thesari i shkruan Konjufcës e Haradinajt: Kujdes me buxhetin!

Vonesat në formimin e Qeverisë, pavarësisht se Kuvendi veçse është konstituuar, mund ta lënë Kosovën pa buxhet.

Rreth 400 mijë punonjës të sektorit publik pritet të mbesin pa paga nëse nuk miratohet Ligji për Buxhetin me kohë nga Kuvendi i Kosovës, edhe pse qeveria në detyrë ka miratuar kornizat buxhetore.

Në një dokument që e ka siguruar Agjencia e lajmeve FaktePlus, shihet se Drejtori i Përgjithshëm i Thesarit në Ministrinë e Financave, Ahmet Ismaili, i cili është edhe përgjegjës për raportimin e çështjeve që lidhen me Buxhetin, ka ardhur me një rekomandim.

Reklama e sponzorizuar

Ismaili ka bërë të ditur se zgjatja e ndarjeve buxhetore është bërë për muajt janar dhe shkurt ndërsa për zgjatje deri në mars, mund të vendosë vetëm Kuvendi.

Në kërkesën që e ka bërë Ismaili, thuhet se nëse nuk bëhet zgjatja e ndarjeve buxhetore deri në 20 shkurt, mund të ketë probleme në alokimin e mjeteve për pensione e skema sociale.

“Mos zgjatja eventuale e ndarjeve buxhetore, para datës 20 Shkurt 2020, do të pamundësonte ekzekutimin e disa nga skemat sociale apo pensioneve po për muajin shkurt, apo ekzekutimin e pjesërishëm të tyre, në mungesë të buxhetit të muajit Mars” thuhet në letër.

Po ashtu bëhet e ditur se nëse nuk miratohet Buxheti gjatë marsit, prej 1 prillit asnjë pagesë nuk mund të ekzekutohet përveç borxhit publik, raporton FaktePlus.

“Gjithsesi, edhe në rast vendimi nga Kuvendi për zgjatjen e ndarjeve buxhetore për muajin mars, dhe në rast se deri atëherë ligji për buxhetin 2020 nuk është miratuar, po në muajin Mars do të shfaqen vështirësitë e para, përkatësisht disa nga skemat sociale apo pensionet nuk do të mund të paguhen apo mbulohen, kurse nga data 1 Prill 2020 asnjë pagesë, përveç borxhit publik nuk do të mund të realizohet”, shkruhet tutje në letër.

Duke e parë gjendjen aktuale, Ismaili i ka rekomanduar Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufcës që sa më parë të sigurohet zgjatja e ndarjeve buxhetore për marsin e këtij viti krahas përpjekjeve për ta miratuar Buxhetin dhe të sigurohet vazhdimësia e kryerjes së obligimeve për financat publike, sa i përket ligjit në fuqi.

Buxheti i Kosovës për vitin 2020, sipas kornizës afatmesme, parashihet të jetë rreth 2.4 miliardë euro apo një milion euro më shumë sesa buxheti i 2019. /FaktePlus/