Kosova është ndër vendet në Evropë që e paguan më së shtrenjti ndërtimin e autostradave.
Me një mesatare prej 11.5 milionë euro për 1 kilometër autostradë, Kosova zë vendin e dytë pas Austrisë e cila ka mesatare prej 13.9 milionë euro, thuhet në një studim nga Doll dhe Essen (2008), të cilët kanë publikuar një studim të rëndësishëm lidhur me ndërtimin e autostradave (dhe kostot e tyre) në vendet evropiane.
Sipas këtij studimi, Austria del të jetë vendi me koston më të lartë në ndërtim të rrugëve. Raporti tregon se kostoja e ndërtimit të autostradave në Austri është rreth 13 milionë euro për kilometër, mesatarisht.
Vendi tjetër me koston më të lartë në ndërtimin e autostradave del të jetë Hungaria, me mbi 11 milionë euro për kilometër, e percjellur nga Sllovakia me rreth 10 milionë euro për kilometër, dhe Republika Çeke me 9 milionë euro për kilometër.
Kurse, në anën tjetër, në Danimarkë kostoja mesatare e ndërtimit të autostradës është vetëm rreth 6 milionë euro për kilometër. Më lartë renditen Kroacia dhe Sllovenia me kosto rreth 7 milionë euro për kilometër, kurse në Gjermani kostoja mesatare e ndërtimit të autostradave është rreth 8 milionë euro për kilometër.
Po të përfshihej Kosova në këtë listë, ajo do të renditej e dyta, pas Austrisë, me mbi 11 milionë euro për kilometër rruge të ndërtuar. /Buletini Ekonomik/