Kurti: Skenari më i keq do të ishin zgjedhjet e reja, treni niset nga fillimi

Kandidati për kryeministër në Kosovë, Albin Kurti gjatë intervistës në RTV Ora ka folur krijimin e qeverisë dhe marrëveshjen me LDK-në.

Ai ka thënë se skenari më i keq do të ishin zgjedhjet e reja.

“Gjithçka tregon dhe dëshmon që gjërat po vonohen, por janë në drejtimin e duhur . Pra nuk ka ndryshim drejtimi, ka vonesë. Pra nuk ka as strategji as parime të tjera, veç çështje taktike. Skenari më i keq i mundshëm, në këtë situatë janë zgjedhjet e reja, që i bie që në binarë të njëjtë, treni do niset nga fillimi”, ka thënë ai.

Reklama e sponzorizuar

Ai tutje ka shtuar se nëse arrijnë ta krijojnë qeverinë, qysh në javën e parë do të fillojnë dialog me serbët e Kosovë.

Ai thotë se me Serbinë mund ta rifillojnë dialogun para zgjedhjeve në Serbi, por shton se nuk mund të ketë marrëveshje “shpejtë e shpejtë”.

“Me Serbinë do të mund ta rifillojmë dialogun para zgjedhjeve në Serbi, por nuk mund të ketë marrëveshje historike shpejt e shpejt. Ato 33 marrëveshje që i kemi tani me Serbinë duhet ti shqyrtojmë jo në kuptimin e opsesionit me të kaluarën, por të vlerësimit të gjendjes ku jemi për të nxjerrë mësimet nga e kaluara dhe të ecim të sigurt në të ardhmen”, ka thënë ai.

Ndërkaq duke folur për “Mini- Schengenin” ballkanik, ai ka thënë se kjo nismë është një gabim në hapa nga kryeministri Rama, duke i kujtuar këtij të fundit edhe basketbollin.

Kurti i tha Ramës se kur gabon në hapa, ke humbur edhe topin, për të cilin tha se tashmë e ka Alleksandar Vuçiq.

Sipas Kurtit Nisma për “Mini-Schengenin” ballkanik, duhet të niste nga Kosova.

“Nuk është vetëm piktura në zyrë ose vizatimi është edhe koshi. Dmth si një ish-basketbollit, ose si një njohës i basketbollit, ose si një ushtrues, praktikues …e di çka do të thotë gabim në hapa. Kur gabon në hapa e humbet topin. Për bindjen time Mini-Schegeni ballkanik është gabim në hapa sepse nis me Serbinë, nuk mund të nisesh me Serbinë. Duhet të fillosh me Kosovën. Është gabim në hapa meqë duhet të fillohet me Kosovën, me aleatë të tjerë edhe brenda NATO-s, edhe drejt BE, edhe në raport me Kosovën dhe kombin shqiptar, që na i kërkojnë edhe rilindasit sepse kjo është teza e tyre. Në fund vjen Serbia. A nuk do të duhej që qeveria e Republikës së Shqipërisë me kryeministër Edi Ramën dhe qeveria e Republikës së Kosovës me kryeministër mua, të bëhemi bashkë në një mbledhje njëherë si dy qeveri të diskutojmë të gjitha çështjet e rajonit. Meqë është gabim në hapa dhe humbi topin, a konsideroni që tani topin e ka Vuçiq?”, ka thënë Kurti.

Ai tutje ka folur edhe për taksën 100% të vendosur nga qeveria e Kosovës, për mallrat serbe dhe ato të Bosnjës.

“Qeveria jonë nuk do heqë tarifën 100% pa e vendosur reciprocitetin e plotë. Më 7 dhjetor 2011 është miratuar rezoluta në Kuvend, ne kemi qenë në opozitë për reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë. Asnjë qeveri nuk e ka zbatuar këtë rezolutë. Kjo do të jetë qeveria e parë që e zbaton. Pra reciprocitet i plotë me Serbinë. Ne vendosim reciprocitetin si parim tonin, njoftojmë faktorët ndërkombëtarë për këtë gjë dhe presim që në Serbi të vlejnë diplomat e Universitetit të Prishtinës, Bujanovac, Preshevë, Medvegj. Presim që në Serbi të pranohet patenta e shoferit të Kosovës, në Serbi të pranohet certifikata e prodhimit të mallit në Kosovë, në Serbi të pranohen targat e automjeteve me Republikën e Kosovës, sepse me të Republikës së Serbisë mund të hyjnë”, ka shtuar ai.