SBASHK-u mbledh nënshkrime për ta kundërshtuar vendimin e Gjykatës për Ligjin e Pagave

Mijëra nënshkrime të punëtorëve të arsimit i ka mbledhur brenda 10 ditësh Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK) përmes së cilëve po tenton ta kundërshtojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Ligjit për Paga.

Mbledhja e nënshkrimeve ka nisur ditë më parë dhe do të vazhdojë edhe javën e parë të janarit, shkruan Koha Ditore. Nënshkrimet, sipas kryetarit të SBASHK-ut, do të dorëzohen tek Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP). Ka thënë se presin që ky institucion t’i drejtohet Kushtetueses me kërkesën që të hiqet masa e pezullimit të Ligjit për Paga.

Institucioni i Avokatit të Popullit nuk është përgjigjur se si do të veprojë pas dorëzimit të nënshkrimeve nga Sindikata e Arsimit. Nga ana tjetër, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka theksuar se kjo iniciativë për ta kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese nuk ka bazë ligjore.

Reklama e sponzorizuar

Më 12 dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim ta pezullojë Ligjin për Paga deri në muajin mars. Kjo për shkak se Institucioni i Avokatit të Popullit i ishte drejtuar Kushtetueses duke kërkuar interpretim për Ligjin e Pagave meqë kishte pranuar 35 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik ndaj këtij ligji.