Kompania “Bechtel”, është njëra ndër kompanitë më të mëdha kontraktuese në SHBA, dhe e treta më e madhja në botë, sipas një liste të publikuar nga Engineering News Record.
Para se të angazhohej në Kosovë, kjo kompani ka qenë e angazhuar në ndërtim të rrugëve të mëdha edhe në Kroaci, Rumani, si dhe në Shqipëri. Në Kosovë, Bechtel-Enka, në konsorcium, ka ndërtuar dy autostrada. Në vitin 2019 përfundoi autostrada e dytë, ‘Arben Xhaferi’, që e lidhë Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut me një kosto prej 800 milionë euro. Në vitin 2013, përfundoi së ndërtuari autostrada “Ibrahim Rugova”, me një kosto prej 900 milionë eurove, përcjell Buletini Ekonomik.
Por cili është profili i kësaj kompanie?
E themeluar në vitin 1898, Bechtel është kompani private, në pronësi të familjes Bechtel. Kompania Bechtel angazhohet kryesisht në projekte të mëdha në fusha të ndryshme si: transporti, nafta dhe gazi, dhe minierat. Vetëm në vitin 2012 ka pasur të hyra rreth 38 miliardë USD dhe ka pasur diku rreth 53,000 punëtorë të angazhuar në projekte në më shumë se 40 vende të botës. Kjo e bën Bechtel-in një kompani të madhe ndërkombëtare, e cila të hyrat mesatare vjetore i ka sa 20 herë buxheti vjetor i Kosovës.
Kompania Bechtel, para se të fillonte punën në Kosovë, ka qenë e angazhuar në disa projekte në Ballkan. Pas luftërave të viteve ’90 në ish-Jugosllavi, shtetet e reja kishin nevojë emergjente për rindërtim të infrastrukturës moderne. Në vitin 1998, Bechtel u angazhua në ndërtimin e një autostrade në Kroaci, kontratë e cila u negociua direkt me qeverinë e atëhershme kroate dhe pa tender të hapur publik. Para se të angazhohej në ndërtimin e autostradës në Kosovë, Bechtel përfundoi një projekt të ngjashëm në Shqipëri.
Nuk ka të dhëna zyrtare për profitin e krijuar nga kompania Bechtel&Enka në Kosovë.
Sipas një raporti të botuar në revistën Foreign Policy, kompania Bechtel ka marrëdhënie shumë të mira me grupe politike në SHBA, dhe si rezultat në vazhdimësi ka shfrytëzuar zyrtarët e lartë të Departamentit të Shtetit (State Department) për të nënshkruar kontrata të mëdha ndërkombëtare. Në shumë raste zyrtarë të lartë të shtetit kanë marrë pozita të larta në kompaninë Bechtel, por edhe e kundërta, zyrtarë të lartë nga kompania kanë kaluar me punë në pozita publike. /Buletini Ekonomik/