LDK e sfidon VV’në me postin e kryeparlamentarit, a do të sakrifikohet Konjufca?

Lidhja Demokratike e Kosovës iu është përgjigjur ofertës së Albin Kurtit për shtim të numrit të ministrive në 14-të, duke ia nisur propozimin që e kishin bërë në takimin e parë pas seancës së 26 dhjetorit.

Edhe këtë herë, partia e udhëhequr nga Isa Mustafa ka kërkuar që t’iu kthehet pozita e kryeparlamentarit, që nënkupton se Kurti duhet të sakrifikojë Glauk Konjufcën, njeriun e dytë më të votuar në LV në zgjedhjet e gjashtë tetorit, shkruan Gazeta Express.

Derisa Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga LDK-ja që të i lajmërojnë nëse pranojnë apo jo ofertën e tyre që me gjasë do të jetë e fundit që do të negociojnë, nga Lidhja Demokratike e Kosovës iu kanë përcjellë sot edhe zyrtarisht propozimin që e kanë dhënë qysh pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

Në të shkruhet se LDK-ja do të pranonte një marrëveshje me LV-në, vetëm në rast se kjo e fundit do t’ia kthente postin e kryeparlamentarit, ku në seancën e 26 dhjetorit është emëruar Glauk Konjufca.

Kjo do të thotë se Lidhja Demokratike ka kërkuar nga Kurti, që të urdhërojë dorëheqjen apo shkarkimin e Konjufcës, në mënyrë që kjo pozitë të iu lirohet atyre.

Një skenar i tillë do të ndodhte deri kur të vjen koha për votim të presidentit, që LDK e do për vete. Në rast se në Kuvend arrihen votat e nevojshme për të parin e shtetit, atëherë LV-së do t’i kthehej paralamentari.

Mirëpo, po kjo ofertë që u publikua sot edhe zyrtarisht është refuzuar në parim nga Kurti në takimin në nivel të liderëve.

Kurti i ka thënë Mustafës se pozita e kryeparlamentarit është e kryer dhe e pa negociueshme, ndërsa, të njëjtit ia ka ofruar një propozim të ri, që nënkupton rritjen e ministrive në 14, ku dy ministri do të barazohen me kreun e Kuvendit që mban LV-ja.