Aktualisht nga termokapacitetet elektroenergjetike të Kosovës janë në prodhim vetëm të dy njësitë e termocentraleve Kosova B (B1 dhe B2), me rreth 500 -520 MwH dhe rreth 160-170 megavatë nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme (hidrocentralet e vogla të Kosovës dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës). Sipas zyrtarëve të KEK-ut, mungesat e energjisë elektrike për nevojat e konsumit të Kosovës janë duke u plotësuar në tërësi nga kthimi I huas nga Korporata Elektroenergjetike e Shqipërisë (KESH).
Buletini Ekonomik
Sërish, që nga dita e djeshme (e diel, 25 shtator) , nuk është në prodhim njësia e vetme e termocentraleve Kosova A, e cila që nga 1 shtatori ka qenë në funksion dhe ka prodhuar diku rreth 130 megavatë-orë energji elektrike. A3-shi ka pasur një lidhje të shkurtër dhe për këtë shkak ekipet profesioniste të KEK-ut kanë intervenuar për të mbrojtur ndërpresin e gjeneratorit dhe kanë ndërprerë prodhimin në këtë bllok.
Siç bën të ditur Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), nëpërmjet një komunikate, ekipet profesionale të KEK-ut dhe KOSTT-it janë duke punuar në identifikimin e burimit që ka shkaktuar këtë ndërprerje”. “Ekipet profesionale të KEK-ut dhe KOSTT-it janë duke punuar në identifikimin e burimit që ka shkaktuar veprimin e kësaj mbrojtje dhe për të mundësuar rikthimin e sigurt të njësisë në punë në kohë optimale”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Ndërsa, burime të Buletinit Ekonomik, kanë njoftuar se sanimi i këtij defekti teknik, sipas zyrtarëve të KEK-ut është punë ditësh, përkatësisht do të sanohet shpejtë dhe do të rikthehet në prodhim.
Aktualisht nga termokapacitetet elektroenergjetike të Kosovës janë në prodhim vetëm të dy njësitë e termocentraleve Kosova B (B1 dhe B2), me rreth 500 -520 megavatë-orë. Prodhimit aktual të njësive prodhuese të termocentraleve Kosova B duhet shtuar edhe rreth 160-170 megavatë nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme (hidrocentralet e vogla të Kosovës dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës).
KEK, siç thuhet në komunikatë, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbulimin e mungesave të paraqitura si pasojë e daljes së njësisë A3, në mënyrë që kjo ndalje të mos reflektojë në mungesë të energjisë për qytetarët e vendit”. Në fund, korporata thotë se lidhur me veprimet për ditët vijuese, qytetarët do të njoftohen me kohë.
Mirëpo, sipas zyrtarëve të KEK-ut, që nuk duan të identifikohën, mungesat e energjisë elektrike për nevojat e konsumit të Kosovës janë duke u plotësuar në tërësi nga kthimi i huas nga Korporata Elektroenergjetike e Shqipërisë (KESH). KESH-I tani ka goxha mundësi për ta kthyer një sasi borxhi nga deponimet që ka bërë KEK-u atje (deri në këtë muaj janë deponuar diku rreth 150 mijë megavatë-orë energji elektrike), për shkak të mbushjeve të liqeneve të hidrocentraleve në Kaskadën e Drinit, si rrjedhoje e të reshurave të shumta të ditëve të fundit.
Në këtë mënyrë, sipas zyrtarëve të KEK-ut, janë evituar reduktimet e rrymës edhe përkundër “heshtjës prodhuese” në Kosova A si rrjedhojë e defektit teknik që ka ndodhur më 25 shtator dhe remonteve të planifikuara. Zyrtarët e KEK-ut kanë thënë për Buletinin Ekonomik se, më së largu në ditët e para të tetorit, pritet të rikthehet në prodhim edhe blloku A 4 i Kosova A, i cili që nga fillimi i shtatorit gjendet në remont të planifikuar.
Nëse gjithçka zhvillohet sipas parashikimeve të inxhinierëve të KEK-ut, në fund të këtij muaji, dhe më së largu në ditët e para të tetorit do të funksionalizohen edhe të dy njësitë e Kosovës A (A 3 dhe A 4), secila me kapacitet rreth 130 megavatë –orë dhe në këtë mënyrë, pritet të rikthehet prodhimi standard e këtyre muajve të fundit, diku gjithsej 760 megavatë-orë prodhim nga termocentralet dhe 160- 170 megavatë-orë nga kapacitetet e rinovueshme. Gjithsesi, si rrjedhojë e reshjeve të bollshme të këtyre ditëve dhe paralajmërimeve për reshje të shumta gjatë ditëve në vijim, njohësit e zhvillimeve energjetike në vend, shpresojnë se në rast të ndonjë krize më të rëndë, këmbimi me KESH-in do të jetë një ndihmesë e madhe për ta zbutur mungesën e rrymës në konsumin e Kosovës./Buletini Ekonomik











