Ngërçi në negociatat mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike për arritjen e koalicionit ua ka rikthyer ambiciet subjekteve që përbënin PAN-in, për të mbetur në pushtet.
Zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate kanë shfaqur gatishmëri të negociojnë, nëse subjekti fitues nuk arrin ta krijojë shumicën për votimin e Qeverisë. Por në LDK dhe VV e kanë përjashtuar mundësinë t’i konsiderojnë opsionet e tjera, nëse nuk arrihet marrëveshja për bashkëqeverisje, shkruan sot “Koha Ditore”.
Një ditë më herët, LDK-ja ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë, pas së cilës përsëritën qëndrimin se kushti për të hyrë në marrëveshje me VV-në është posti i kryeparlamentarit. Nënkryetarja Vjosa Osmani ka thënë të mërkurën se nuk është propozuar asnjë plan B, por vetëm mundësia që të lidhet koalicioni me VV-në.
“Në Kryesi dje është përcaktuar që LDK-ja negocion vetëm me VV-në për Qeveri të ardhshme dhe askush nuk ka propozuar opsione të tjera. E kemi qartësuar që në asnjë mënyrë nuk kemi opsion B dhe ky është i vetmi për të cilin ne punojmë”, ka thënë Osmani gjatë një deklarimi për media, para selisë së partisë. Sipas saj, sa i përket koalicionit me VV-në nuk ka pasur kundërshtime, teksa ka thënë se shpreson që marrëveshja të arrihet sa më shpejt.