Komuna e Ferizajt gjatë vitit të kaluar është përballur me një varg lëndësh të cilat kanë përfunduar nëpërmjet përmbaruesve privatë, ndërkohë që Komuna ka shpenzuar qindra e mijëra euro si taksë përmbarimore.
Këtë çështje, opozita, këshilltarët e KK-së dhe OJQ-të po e cilësojnë si keqmenaxhim të parasë publike. Rreth kësaj çështjeje kritika janë adresuar edhe në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal.
Subjekti më i madh opozitar Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Ferizaj, nëpërmjet një komunikate për medie, të hënën, ka njoftuar se pushtetarët e Ferizajt janë futur në thellësi të kënaqësisë derisa institucioni i Komunës gjendej në prag të falimentimit, shkruan sot Koha Ditore.
“Të gjitha pagesat e Komunës së Ferizajt po realizohen përmes përmbaruesit privat. Madje Komuna nuk e ka marrë mundin që të ushtrojë ndonjë prapësim eventual. Asnjë të vetëm. Zyrtarët flasin me zë të ulët se kontraktuesit e komunës udhëzohen që të drejtohen tek përmbaruesi (i vetëm) privat për realizimin e pagesave. Se dikush nga pushtetarët ka interesa nga përmbaruesi privat, dyshimi ekziston. Në të kundërtën do të përfitonin shumë përmbarues dhe jo vetëm përmbarues të caktuar. Krijimi i monopolit në këtë fushë, është i pari dhe i vetmi në Kosovë deri tashti”, thuhet në komunikatën e LDK-së, dërguar nga zëdhënësi i saj Flamur Istrefi.
Sipas tij, në bazë të ligjeve në fuqi, përmbaruesi privat arkëton deri në 7 për qind (plus taksa) të shumës përmbarimore, e cila paguhet nga buxheti i Komunës.