Përfaqësuesi i Lartë i BE’së, Josep Borell, sot ka takuar liderët e partive politike në vend. Në këtë takim, pjesëmarrës ishin kreu i LDK’së, Isa Mustafa, ai i VV’së, Albin Kurti, anëtari i kryesisë së AAK’së, Besnik Tahiri, kryetari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj dhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.
Pas takimit me përfaqësuesin e Lartë të BE’së, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se aty u shkëmbyen mendime, ndërkaq sipas tij, veprimi urgjent që duhet të ndodhë është liberalizimi i vizave për Kosovën.
“Kemi pasur një takim me Borell. Shkëmbyem mendime. Prioritetet i ka treguar ai edhe më herët. Ne kemi thënë që BE nga fjalët të kalojë në vepra. Veprimi urgjent që duhet të ndodhë, është liberalizimi. Ne jemi të frustruar me shtetet e BE’së. Presim hap konkret nga BE”, ka thënë Limaj, raporton Gazeta Express.
Limaj ka shtuar se temë tjetër e këtij takimi ishte dialogu i Kosovës me Serbinë.
Derisa komentoi edhe çështjen e formimit të qeverisë, ku tha se diplomatët duhet të respektojnë mandatin e tyre, pasi sipas Limajt, krijimi i qeverisë është çështje e brendshme e Kosovës.
“Temë tjetër ishte dialogu. Ne duam marrëveshje, që ka në zemër njohjen. Në mënyrë që të mbyllet kjo temë një herë e mirë. Iniciativat rajonale janë të destinuara të dështojnë, sepse aty ulen dy vende që e urrejnë njëra – tjetrën. Nuk mund të ketë marrëveshje, derisa kreu i shtetit mohon gjenocidin dhe krimin në Kosovë. Nga BE duam qëndrim të qartë për këtë. Për dialog duhet koordinim me ShBA’në. Diplomatët duhet t’i ruajnë mandatet e tyre. Çështja e negociatave për koalicion është çështje e brendshme”, u shpreh Limaj.