Lutfi Haziri i reagon Thaçit për letrën që ia dërgoi Kurtit

Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë sot se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk duhet t’i bëjë presion Albin Kurtit për emrin e mandatarit për kryeministër.

Ai tha se janë duke u diskutuar të gjitha opsionet pas situatës së krijuar më 26 dhjetor, kur Glauk Konjufca i LVV-së është zgjedhur në krye të Kuvendit të Kosovës.

“Janë duke u diskutuar opsionet në tavolinë, tashmë opsionet kanë të bëjnë me situatën e re që është krijuar pas 26 dhjetorit, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe konstituimi i Kuvendit jashtë marrëveshjes, por ne respektim të procedurave të zgjedhjeve, kështu që kjo situatë e re ka imponuar dhe kërkon pak durim që bisedimet të shteren deri në atë fazë sa të dy palët sipas parimit të përfaqësimit të drejtë ta arrijnë një marrëveshje, e cila për katër vitet e ardhshme definon rolin kushtetues të dy subjekteve politike”, tha ai për agjencinë e lajmeve KosovaPress.

Reklama e sponzorizuar

Sa i përket letrës së presidentit Thaçi dërguar LVV-së rreth dërgimit të emrit të mandatarit për kryeministër, Haziri tha se presidenti duhet të pres derisa t’i shkojë emri sipas procedurave.

“Presidenti duhet të pres derisa t’i shkojë emri, emri do t’i shkojë sipas procedurave”, tha ai.

I pyetur se a do të kërkojë LDK që pozita e kreut të Kuvendit të rinegociohet, ai tha se marrëveshja duhet të shihet si pako dhe si e tillë duhet t’i definojë përgjegjësitë.

“Nuk ka të bëjë me një shtyllë apo me një segment apo fragment të marrëveshjes. Marrëveshja si tërësi duhet me u pa a është në pako dhe si e tillë duhet t’i definojë përgjegjësitë. Jemi në hapin e fundit besoj të zbardhjes së krejt këtij procesi”, tha ai.

Kurse, i pyetur se kur do të nënshkruhet marrëveshja, Haziri u shpreh se ajo është përgjigje 1 milion dollarëshe.

“Ajo është përgjigje 1 milionë dollarëshe”, tha ai.