I dërguari special i presidentit amerikan në dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell pas marrëveshjes për hapjen e korridorit ajror Prishtinë – Beograd, ka lajmëruar se të hënën do të ketë edhe një takim tjetër në mes të dy vendeve ku do të diskutohet marrëveshja e arritur në parim për hapjen e linjës hekurudhore. I kontaktuar nga Gazeta Express, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Pal Lekaj tha se nuk e ka caktuar ende ekipin që do të përfaqësojë shtetin në kryeqytetin gjerman, teksa ka bërë të ditur se kjo marrëveshje do të përfshijë kalimin nëpër pikat kufitare në Leshak dhe Merdare.
Nga Beogradi, një ditë pasi që qëndroi në Kosovë, i dërguari i posaçëm i SHBA-së në dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell ka njoftuar se ka arritur që t’i bindë palët që të bëjnë marrëveshje edhe për hekurudhat, për të cilën ka thënë se janë dakorduar në parim.
Kështu të hënën në Berlin do të mbahet takimi i ardhshëm nga zyrtarë të Prishtinës dhe Beorgadit.
Mirëpo, institucionet në vend ende nuk e kanë caktuar ekipin që do të marrë pjesë në takime. Këtë e ka bërë të ditur në një përgjigje për Gazetën Express, Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Pal Lekaj.
Lekaj thotë se janë të gatshëm që t’i përgjigjen një ftesë për të arritur marrëveshje për hekurudha.
“Ne si ministri e Infrastrukturës dhe Transportit jemi të gatshëm që t’i përgjigjemi një ftese të mundshme për të diskutuar me Serbinë lidhur me marrëveshjen për hekurudha, gjithmonë duke marrë parasysh Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë.
Ne jemi pjesë e Komunitetit të Transportit Hekurudhor ku bëjnë pjesë 6 vendet e Ballkanit dhe rrjedhimisht kemi marrë përgjegjësitë aq sa na takojnë sikur secili shtet tjetër”, ka deklaruar ai.
Ministri në detyrë tutje thotë se në rast se arrihet kjo marrëveshje atëherë bëhet fjalë për lidhje pa pengesa me Serbinë në pikat kufitare Leshak dhe Merdare.
“Jemi të hapur dhe të gatshëm për ta ofruar ekspertizën tonë të ministrisë gjithmonë në frymën e ruajtjes së elementeve të shtetësisë të Republikës së Kosovës. Edhe në kuptimin e investimeve në hekurudha po bëhemi gati që të kemi lidhje pa pengesa me secilin shtet fqinj, duke përfshirë në këtë rast edhe Serbinë, në pikën kufitare Leshak dhe Merdare”, ka bërë të ditur Lekaj për Express.
Grenell sot ka deklaruar se kjo marrëveshje është bërë në parim, derisa, nga java tjetër pritet që të diskutohen detajet.
Ai ka thënë se pëlqimin për këtë e ka marrë edhe nga qeveria aktuale në vend, por, edhe nga liderët e partive që po negociojnë mundësinë e koalicionit qeverisës, me të cilët është takuar dje gjatë vizitës në vend.
Këtij lajmi sot iu është gëzuar edhe i pari i shtetit, Hashim Thaçi që ka falënderuar presidentin amerikan, Donald Trump dhe të dërguarin special, Richard Grenell. Ai e ka cilësuar këtë si hap shumë të rëndësishëm për normalizimin e plotë e të marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Unë përshëndes qëllimin për të rivendosur lidhjen hekurudhore mes Kosovës dhe Serbisë, duke bërë një hap të rëndësishëm për normalizimin e plotë. Falënderues ndaj presidentit Donald Trump dhe të dërguarit special, Richard Grenell për përkushtimin e tyre për të ndërtuar paqe dhe prosperitet në rajon”, ka shkruar Thaçi në Twitter.
Këtë javë ndërkaq në Berlin me ndërmjetësimin e amerikanëve është nënshkruar edhe marrëveshja për vendosjen e linjës ajrore Beograd – Prishtinë, që nuk kishte qenë funksionale që nga viti 1999./