Xhemë Veseli, kryesues i ekipit që po negocion me Serbinë për hekurudhat, ka thënë se kanë pasur negociata të mira e është shprehur optimist se në ditët në vazhdim do të mbyllen me sukses bisedimet.
Në një deklaratë për KP-në, pas takimit në Berlin, Veseli ka thënë se palët kanë zhvilluar “diskutime konstruktive”.
“Kemi pasur bisedime të mira. Kemi bërë përparim dhe jemi dakorduar që në ditët në vijim të mbyllim me sukses bisedimet”, është shprehur Xhemë Veseli, drejtor i Departamentit të Transportit Tokësor në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit të Republikës së Kosovës.
Ambasadori Grenell gjatë vizitës së tij në Kosovë dhe në Serbi javën e kaluar paralajmëroi arritjen e marrëveshjes edhe për hekurudha dhe për autostrada.