Që nga 31 dhjetori janë duke ushtruar jashtëligjshëm funksionet zyrtarë të lartë të Ministrisë së Bujqësisë, kundër të cilëve Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë. Ata vazhdojnë të dalin në zyrë, ani se dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Prokuroria është vënë në lëvizje, pas një hulumtimi të gazetës “Koha Ditore”, e cila kishte gjetur se në Ministri ishin ndërmarrë veprime të jashtëligjshme, nëpërmjet të cilave ishin çuar së paku tre milionë euro të shtetit tek disa biznese të lidhura me politikën, shkruan sot “Koha Ditore”.
Më 30 dhjetor, Specialja ka bërë përgjegjës për veprimet ish-ministrin Nenad Rikalo, sekretarin e përgjithshëm Kapllan Halimi, kryeshefin e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, Ekrem Gjokaj, si dhe pesë zyrtarë të tjerë të Ministrisë: Shefki Zeqirin, Shkëlzen Morinën, Leon Thaçin, Lindor Krasniqin dhe Albana Zeqirin. Që të gjithë dyshohet se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, e dënueshme me burg nga 6 muaj deri në 5 vjet.
Nenad Rikalo ishte liruar nga detyra pak ditë pas raportimit të gazetës për abuzimin me buxhetin për grante, por kryeministri Ramush Haradinaj kishte përmendur arsye të tjera që e kishin shtyrë në një vendimmarrje të këtillë, dhe jo gjetjet e gazetës. Të tjerët nuk janë prekur.