Nagavci: Kërkesa për dorëheqjen e Konjufcës është e papranueshme

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, ka thënë se kërkesa për dorëheqjen e kryeparlamentarit, Glauk Konjufca, është e padrejtë dhe e papranueshme.

Ajo në një postimi në Facebook ka shkruar se përfaqësimi partiak nuk mund të jetë më i rëndësishëm se respektimi i rendit kushtetues.

Sipas saj, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës është pozitë kushtetuese.

Reklama e sponzorizuar

“Me votat e 75 deputetëve ne kemi zgjedhur zt. Glauk Konjufca të na përfaqësojë në këtë detyrë dhe ai tashmë ka marrë përsipër përgjegjësitë që i takojnë. Jam e bindur që gjithë dijet, kapacitetet dhe njohuritë e tij, zt. Konjufca do t’i vë në shërbim të kryerjes me përkushtim të detyrave dhe në të mirën e vendit. Angazhimi jonë i përbashkët duhet të jetë që Kuvendit t’i kthehet besueshmëria, serioziteti e profesionalizmi dhe zt. Konjufca tashmë ka marrë mandatin që të jetë në krye të këtij misioni”, ka shkruar ajo.

Nagavci thotë se çdo kërkesë për kthim prapa është shkelje e parimit të demokracisë, cenon vullnetin e deputetëve dhe godet që në fillim betejën për mënyrën e ndryshimit të qeverisjes, për çfarë morën mandatin nga qytetarët e vendit.

“Andaj është e padrejtë, pra dhe e papranueshme kërkesa për dorëheqjen e Kryetarit të Kuvendit . Nuk ka asnjë arsye serioze dhe parimore se pse duhet të shqyrtohet një kërkesë e tillë. Zt. Konjufca është zgjedhur në atë pozitë, ai ka mandat. Është përgjegjësi e tij e jo privilegj. Ai ka marrë përsipër misionin që të udhëheq Kuvendin dhe të kthej dinjitetin në institucionin më të lartë të vendit. Të drejtoj me profesionalizëm seancat, të largoj përfundimisht gjuhën fyese, denigruese e të urrejtjes nga foltorja e kryeparlamentarit, të trajtojmë me seriozitet e sipas rregullores punën e Kuvendit, me dashamirësi opozitën e me integritet të gjithë bashkëpunëtorët”, ka shkruar tutje ajo.

Sipas saj, beteja për t’i kthyer dinjitetin Kuvendit është vetëm një nga punët e mëdha që duhet të kryejmë, nga premtimet që u kemi dhënë qytetarëve. Kemi shumë punë tjera po aq të rëndësishme, shumë beteja për të fituar.

Nagavci thotë se me LDK-në duhet të shtojnë e forcojnë bashkëpunimin, të rrisin besimin ashtu që të përballojmë me sukses presionin që mund të kenë përball luftimit të krimit e korrupsionit, përballë proceseve të rëndësishme që do të kemi, ashtu që të shohin gjithmonë interesin më të mirë të Republikës së Kosovës.

“Nuk është rruga e duhur që të bëjmë presion tani duke vendosur kushte të pakapërcyeshme, duke vënë interesat partiake mbi interesat e vendit. Glauk Konjufca është njeriu i duhur në vendin e duhur, është obligim I joni që sa më parë të plotësojmë pozitat tjera të lira qeverisëse me njerëz kompetent, të ndershëm e me integritet dhe fillojmë punën për zbatimin e programit qeverisës”, ka shkruar tutje ajo.