Një e dyshuar me probleme psikike e cila është arrestuar të mërkurën në Gjilan, pasi kishte ushtruar dhunë në familje, në vend së të dërgohet për trajtim në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë ajo është dërguar në Qendrën e Paraburgimit për Femra në Lipjan.
Prokuroria Themelore e Gjilanit ka kërkuar nga Gjykata Themelore që të caktojë masën e paraburgimit me ndalim në Institutin e Psikiatrisë Forenzike me qëllim të ekzaminimit dhe observimit të dyshuarës. Mirëpo gjykata arsyetohet se ata nuk kanë arritur vendosjen e të dyshuarës në Institutin e Psikiatrisë Forenzike meqë ka mungesë të shtretërve në atë institucion dhe në mungesë të hapësirës janë detyruar që t’i vendosin personat me të meta mentale në qendrat e paraburgimit ku duhet të qëndrojnë me të burgosurit e tjerë, raporton Koha Ditore.
Kryetari i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Ramiz Azizi deklaron se është detyrë e Qeverisë së Kosovës të krijojë kushtet dhe personat e dyshuar me të meta mendore të vendosen dhe të trajtohen në repartet e psikiatrisë. Ai deklaron se gjyqësori kanë rënë në hall me këto raste.
“Sot kemi një rast dhe mjerisht nuk po kemi ku të dërgojmë njeriun e sëmurë. Në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë janë vetëm 36 shtretër dhe atë Institut e shfrytëzon krejt Kosova. Dhe nuk ka hapësirë për vendosjen e tjerëve dhe detyrohemi që të bëjmë zgjidhje. Në repartin e psikiatrisë në Spitalin Regjional të Gjilanit janë dy dhoma mirëpo edhe ato janë të mbushura dhe po detyrohemi që t’i dërgojmë në Qendrën e Paraburgimit. E kanë trajtimin e detyrueshëm në psikiatri mirëpo nuk ka vend. E kuptoj se po shkelen të drejtat e njeriut mirëpo çfarë të bëjmë ne” ka thënë ai.
Sipas tij, problemi është adresuar edhe tek Ministria e Drejtësisë por edhe tek Kryeministri ku edhe është kërkuar që të gjendet një zgjidhje mirëpo deri tani nuk ka një përgjigje.
“Këtë problem e kam parashtruar edhe në Këshillin Gjyqësor edhe në Ministri të Drejtësisë edhe tek Kryeministri. Ligjet i kemi të mira mirëpo nuk e kemi infrastrukturën dhe jemi në pozitë të keqe. Me të vërtetë jemi në pozitë të keqe dhe kjo është një pyetje që nuk mundem me dhanë përgjigje se nuk jam njeri i cili mundem që të siguroj shtretërit. Jemi duke mbajt qendrën e paraburgimit derisa t’i lëshohet ndonjë vend atje” ka thënë ai, raporton Koha Ditore.
Ndërkaq Zyra e Avokatit të Popullit në Gjilan ka kritikuar institucionet e shtetit se janë duke shkelur të drejtat e njeriut në momentin që personat me të meta mentale vendosen në qendrat e paraburgimit. Zyra ka kërkuar që shteti të krijojë kushte dhe të sigurojë infrastrukturën e nevojshme me qëllim që personat e dyshuar me të meta mendore të trajtohen në repartet e psikiatrisë.