Në Administratën Tatimore të Kosovës sot është finalizuar marrëveshja kontraktuale me konsorciumin e kryesuar nga kompania armene “IUNetworks”, i cili disa muaj më parë fitoi një tender të dyshimtë prej afër 10 milionë eurove.
Marrëveshja për tenderin e dyshimtë të dhënë nga ATK-ja me qëllim modernizimin e teknologjisë informative të institucionit, është nënshkruar sot në zyrat e administratës.
ATK ka njoftuar se përmes këtij sistemi të ri të teknologjisë informative, do të lehtësohet deklarimi dhe pagesa e tatimeve, “si dhe do të mundësohen metoda elektronike shumëkanalëshe të komunikimit”.
Mirëpo, procedura që zgjati më shumë se dy vjet për këtë kontratë ka hije të mëdha dyshimi. Insajderi raportoi rreth dy muaj më parë për procedurën tenderuese të kësaj kontrate në të cilën janë të përfshira dy kompani të huaja: njëra nga Armenia dhe tjetra nga Austria.
ATK ndau 10 milionë euro më 28 gusht të vitit 2017 – kur nisi zyrtarisht procedura tenderuese – për “Modernizimin e Sistemit të Teknologjisë Informative për Nevoja të AK-së”, përmes një procedure konkurruese me negociata.
Gjashtë konsorciume iu përgjigjën ftesës së ATK-së për aplikim në këtë tender, i cili u zhvillua përmes tri procedurave: të parakualifikimit, të tenderimit dhe të negociatave. Vetëm dy – një armen dhe një austriak – kaluan deri në fazën e tretë.
Konsorciumi fitues nga Armenia kryesohet nga firma “IUNetworks”, derisa përbëhet edhe nga dy kompani të tjera: “Mikrobiz”, “PBC Sh.P.K dhe “Tax Accounting Group”.
“IUNetworks” është firmë me bazë në Yerevan të Armenisë, me mbi 250 të punësuar, e cila udhëhiqet nga biznesmeni armen, Vahram Merangulyan.
Ndërkaq, konsorciumi austriak përbëhet nga firma austriake “Qualysoft Gmbh”, si dhe firmat: “WedoIT Solutions”, “Infinica”, “Infosoft System” e “Ikub Info”.
Në një njoftim për dhënie të kontratës më 25 shtator të këtij viti, ATK shpalli fitues konsorciumin armen ndonëse oferta e këtij grupi kompanish kishte çmim më të shtrenjtë se sa oferta e konsorciumit austriak.
Dallimi mes çmimit të ofertave ishte rreth 270 mijë euro. Oferta e konsorciumit fitues ka vlerë prej 9,793,561.00 euro, ndërkaq oferta e konsorciumit austriak ka vlerë prej saktësisht 9,500,000.00 euro.
Dosja e tenderit për “modernizimin e sistemit të teknologjisë informative” të ATK-së
Megjithatë, sipas dosjes së tenderit në të cilën është shpallur fituese konsorciumi i udhëhequr nga firma armene “IUNetworks LLC”, Administrata Tatimore të Kosovës e ka cilësuar si të papërgjegjshme ofertën e konsorciumit austriak – ndonëse ky konsorcium ofroi çmim rreth 300 mijë eurosh më të volitshëm sesa koncorsiumi fitues.
Disa ditë pas eliminimit nga tenderi, më 14 tetor, konsorciumi austriak – i kryesuar nga firma “Qualysoft Gmbh” – është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OshP).
Më 20 nëntor, gjykata e tenderëve ka marrë vendim pro ankesës së konserciumit austriak dhe kundër dhënies së tenderit për konsorciumin armen. /Insajderi/