Viti që lamë pas nuk do të mbahet mend për ndonjë investitorë serioz të huaj në Kosovë, madje as për uljen e shkallës së papunësisë dhe varfërisë, ndonëse u shënua një rritje ekonomike prej 4.2 për qind. Madje drejtues të Qeverisë së Kosovës që në fillim të vitit 2019 patën premtuar se ky vit do të jetë vit i ekonomisë.
Megjithatë, viti i kaluar në fushën e ekonomisë mori vëmendjen e masave mbrojtëse ndaj mallrave me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. E po ashtu debati është përqendruar edhe te Ligji i Pagave, investimet vendore kapitale, kryesisht në infrastrukturë, çështja e krizës në Telekom dhe procesi i saj me Z-Mobile.
Sikurse në vitet e kaluara, edhe në vitin 2019 dominoi agjenda politike, e cila ka ndikuar edhe në përkeqësimin e renditjes së Kosovës në raportin e Bankës Botërore për të bërit biznes, në të cilin në dy vjetët e fundit ka shënuar rënie për 17 pozita.
Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, thotë se viti 2019 nuk shënoi ndonjë përparim në rritjen e punësimit, në përmirësimin e klimës së të bërit biznes dhe për rritje të investimeve.
Sipas Krasniqit, fatkeqësisht edhe viti i kaluar ishte një vazhdimësi e vitit 2018, pa ndonjë dallim pozitiv në zhvillimin e ekonomisë. Prandaj, ka kërkuar që Kosova duhet të ketë një strategji të zhvillimit ekonomik.
Kreu i OAK-ut kërkon nga Qeveria e ardhshme ta ketë në prioritet zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve. Krasniqi thotë se presin që të ketë një bashkëpunim më të madh ndërmjet komunitetit të biznesit dhe institucioneve publike, si dhe realizim të premtimeve që janë dhënë për bizneset.
OAK gjatë aktiviteteve të ndryshme me bizneset në terren ka pranuar qindra ankesa, si për Ligjin e Investimeve Strategjike, për mungesë të ofertës, për mungesë të punëtorëve të kualifikuar, Ligjit për Tregti të Brendshme si dhe mungesa e Gjykatës Ekonomike.
“Ne presim që Kosova përfundimisht ta ketë një strategji të zhvillimit ekonomik, sepse ne jemi qe 20 vjet pa strategji të mirëfilltë të zhvillimit ekonomik. Të ketë prioritetet thelbësore dhe të orientohet në zhvillim të qëndrueshëm që do të afektoj edhe në rritjen e punësimit dhe në rritjen e mirëqenies, sepse për gjatë këtyre viteve, shtetet e tjera kanë arrit që të kenë një rritje të madhe ekonomike për dallim prej nesh, me miliarda. Ndërsa, ne sërish po vazhdojmë të kemi probleme të mëdha, sidomos për shkak të mungesës së kësaj strategjie. Mos rritja e prodhimit ka bërë që Kosova vazhdon të ketë një disbalancë të madh mes importit dhe eksportit. Ne vazhdojmë të kemi 90 me 10 raportin tregtar import eksport. Marrëveshjet që i ka nënshkruar Kosova gjatë këtyre viteve, sidomos ajo e CEFTA-së dhe MSA-së nuk ka rezultuar me zhvillim ekonomik, por përkundrazi kanë penguar zhvillimin ekonomik të Kosovës”, deklaron ai.
Në fund të vitit 2019, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka marrë vendim që t’i rrisë tarifat për sigurimin e detyrueshëm për automjetet për pasagjerë. Kjo rritje e çmimit për sigurimin e automjeteve, sipas vendimit të BQK-së, është 26.6 për qind. Kundër këtij vendim të BQK-së janë mbajtur edhe protesta, duke kërkuar shfuqizimin e këtij vendimi.
Norma mesatare e inflacionit vendor ka shënuar 2.8 për qind, e që është dukshëm më e lartë me atë të një vitit më herët, shkruan telegrafi, përcjell albinfo.ch.