Pagat e deputetëve i kushtojnë buxhetit rreth 180 mijë euro në muaj

Kuvendi i Kosovës

Pagat e deputetëve të legjislaturës së re, për një muaj i kushtojnë buxhetit të shtetit rreth 180 mijë euro.

Pagën bazë e gëzojnë edhe deputetët e legjislaturës së kaluar për një periudhë 12 mujore, nëse nuk kanë burim tjetër financiar. Aktualisht janë 60 deputetë që gëzojnë pagën bazë dhe për çdo muaj ata i kushtojnë buxhetit të Kosovës 90 mijë euro.

Një deputet i Kosovës ka pagë bazë një mijë e 500 euro, që në muaj, për 120 deputetë, buxheti i Kosovës shpenzon 180 mijë euro, duke mos llogaritur këtu pagesat shtesë në emër të seancave dhe mbledhjes së komisioneve.

Reklama e sponzorizuar

Agnesa Haxhiu, monitoruese e punës së Kuvendit të Kosovës nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha për ‘Radio-Kosovën’ se Ligji për Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit parasheh pagesa për një vit edhe për deputetët e legjislaturës së kaluar, nëse ata nuk kanë burime të tjera financiare. Haxhiu tha se aktualisht janë 60 deputetë që gëzojnë pagën bazë dhe për çdo muaj ata i kushtojnë buxhetit të Kosovës 90 mijë euro.

“Duke qenë se gjysma e deputetëve apo 60 nga legjislatura e kaluar nuk janë rizgjedhur në legjislaturën e shtatë të Kuvendit, ata të 60-it e gëzojnë këtë benefit, duke e marrë pagën bazë dhe i bie që për çdo muaj  buxhetit të shtetit, këta deputetë i kushtojnë rreth 90 mijë euro për secilin muaj deri në gushtë 2020 kur bëhet një vit nga shpërndarja e legjislaturës së gjashtë.”

Ndërsa, Artan Demhasaj, nga organizata “ÇOHU”, thotë se Kuvendi është funksional që nga betimi i deputetëve dhe zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarit.

“Kuvendi është funksional dhe nuk është faji i Kuvendit pse nuk po krijohet qeveria. Si pjesë e fajit ju kalon partive politike që  nuk po arrijnë të bëjnë marrëveshje të partneritetit apo koalicionit, që sa më shpejt të krijohet qeveria dhe të fillojnë të funksionojnë të gjitha  institucionet qysh e parasheh Kushtetua dhe ligjet.”

Për deputetët është raportuar shpesh se paguhen shumë më shumë se që e meritojnë për faktin se shumë votime në Kuvend gjatë seancave dështojnë për mungesë kuorumi, njëjtë sikur dështojnë edhe shumë mbledhje të komisioneve ku deputetët diskutojnë projektligjet për t’i përcjellë në seancë.