Sikurse marrëveshja për hapjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd, edhe marrëveshja e paralajmëruar për rivënien e linjës hekurudhore Kosovë – Serbi po përshkohet me shumë paqartësi. Anëtarët e delegacionit të Kosovës nuk kanë dhënë detaje rreth asaj se çfarë është diskutuar në takimin e mbajtur në fillim të kësaj jave me palën serbe, në të cilin është diskutuar për rikthimin e transportit hekurudhor mes dy vendeve, shkruan gazeta “Zëri”.
Kanë kaluar disa ditë nga takimi misterioz i mbajtur në Berlin mes palës kosovare dhe asaj serbe lidhur me rivendosjen e linjës hekurudhore Prishtinë – Beograd. Por deri tash askush nga pala kosovare nuk ka dhënë detaje rreth asaj që është diskutuar në takimin, që u iniciua nga ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, i cili njëherësh është edhe i dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi, shkruan tutje “Zëri”.
Kryesuesi i ekipit negociator nga ana e Kosovës, Xhemë Veseli, i cili është edhe pjesë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Transportit (MIT), pas takimit ka thënë shkurt se kanë pasur negociata të mira me palën serbe dhe se në ditët në vijim bisedimet do të përmbyllen suksesshëm. Mirëpo ai nuk ka dhënë detaje të tjera rreth takimit, i cili zgjati më shumë se tri orë. Gazeta ka tentuar të marrë përgjigje më të hollësishme nga Veseli, por ai nuk është përgjigjur as në thirrjet telefonike, as në pyetjet e dërguara me shkrim. Në këto pyetje janë përgjigjur zyrtarë të tjerë të Ministrisë, të cilët kanë thënë se anëtarët e ekipit që kanë marrë pjesë në takim nuk janë të autorizuar të prononcohen.