Në rast të mosmiratimit të buxhetit deri më 31 mars të këtij viti nga Ministria e Financave potencuan se nuk mund të kryhet asnjë pagesë.
Mosmiratimi i projektbuxhetit për vitin 2020 mund të nxisë krizë financiare, buxhetore e sociale në vend. Kjo gjë po pohohet nga njohësit e çështjeve ekonomike, teksa për ata që e monitorojnë punën e Kuvendit është duke u theksuar se pa konstituimin e komisioneve parlamentare nuk mund të ketë miratim të buxhetit në Parlament.
Në rast të mosmiratimit të buxhetit deri më 31 mars të këtij viti nga Ministria e Financave potencuan se nuk mund të kryhet asnjë pagesë, përveç atyre që kanë të bëjnë me larjen e borxhit publik. “Pas kalimit të afateve nëse ndarjet e lartpërmendura kanë skaduar dhe Ligji i ri për Ndarjet Buxhetore nuk është miratuar, atëherë asnjë organizatë buxhetore ose autoritet tjetër publik nuk mund të autorizojë asnjë shpenzim ose pagesë derisa të miratohet Ligji i ri për Ndarjet Buxhetore. Megjithatë, Ministria dhe Thesari janë të autorizuara të bëjnë pagesa për larjen e një borxhi publik, i cili është marrë në mënyrë të ligjshme sipas pjesës IX të këtij ligji në kohën kur ato pagesa maturohen”, ka bërë të ditur Ministria e Financave, shkruan Zëri.
Në rast të krijimit të një situate të tillë pagesat pritet të ndalen, duke filluar nga të punësuarit e organeve të sigurisë e deri te pagesat për shërbimet publike. “Në situatën kur nuk miratohet Ligji i ri për Buxhetin nga qeveria e re dhe nga Kuvendi të gjitha pagesat, duke përfshirë pagat që nga organet e sigurisë e deri te shërbimi civil, pensionet dhe asistencat tjera sociale, shërbimet publike, si dhe të gjitha obligimet tjera buxhetore, do të ndërpriten nga 28 shkurti, përkatësisht 31 marsi (nëse ka vendim nga Kuvendi) dhe nga Thesari i Kosovës do të lejohen vetëm pagesat për borxhin publik që mund të realizohen sipas afatit të pagesës”, ka bërë të ditur më tutje Ministria.
Duke u bazuar në reagimin e lëshuar nga Ministria e Financave, është e nevojshme konstituimi i komisioneve parlamentare në Kuvendin e Kosovës, i cili do të mundë ta trajtojë projektligjin për buxhetin e vitit 2020. “Sipas praktikës parlamentare dhe opinioneve ligjore kompetente, duke qenë se qeveria në dorëheqje nuk aprovon projektligje dhe më tepër projektligjin e buxhetit, i cili përveç tjerash është edhe dokument politik, i cili pasqyron objektivat strategjike dhe programin e qeverisë, mbetet në përgjegjësi të institucioneve të dala nga zgjedhjet e vitit 2019 që të mundësojnë konstituimin e organeve të Kuvendit (komisioneve parlamentare), si dhe qeverisë për të trajtuar çështjen e buxhetit dhe projektligjin e buxhetit për vitin 2020, si ndër veprimet e para më se urgjente, propozimin e të cilit si draft e ka dorëzuar Ministria e Financave në arkivin e qeverisë”, theksohet në reagimin e kësaj ministrie.