Pas letrës së fundit të VV-së, reagon partia e Isa Mustafës

Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se me ofertën e fundit që i kanë bërë Lëvizjes Vetëvendosje, kanë bërë kompromisin më të madh në negociatat për koalicionin qeverisës.

Prandaj u shpreh se ata nuk do të lëvizin në asnjë moment nga qëndrimet se iu takon për një vit posti i kryeparlamentarit, pesë ministri dhe zotimi për emërimin e presidentit pas një viti.

Reklama e sponzorizuar

“Unë besoj që është në interes të shtetit të Kosovës edhe në interes të Vetëvendosjes që sa më parë të themelohen institucionet duke respektuar këtë ofertë që e ka bërë LDK. Merr parasysh edhe fuqitë politike edhe i balancon përgjegjësitë që është e shëndetshme për demokracinë në Kosovë… nuk ka asnjë logjik që lëvizin nga ato pika”, thotë ai, shkruan Insajderi.

“Ne kemi lëvizur pas datës 26 dhjetor edhe me datën 8 janar kemi bërë këtë lëvizje. Ne kemi bërë një kompromis tjetër. Kemi hequr dorë nga 4 vite për të mbajtur gjithë mandatin e kryetarit të Kuvendit. Kemi kërkuar që vitin e parë LDK të ketë njërën nga tri pozitat e larta shtetërore. E pozitat e larta është kryeministri, kryetari i Kuvendit dhe presidenti”.

“Gjatë kësaj periudhe janë dy pozita të larta shtetërore që mund t’i ketë ky koalicion qeverisës. Kryeministri dhe kryetari i Kuvendit. Mandej në tri vitet e tjera ne kemi shpreh gatishmëri që të kthejmë pozitën e kryetarit të Kuvendit dhe në tri vitet tjera, VV do të ketë dy pozitat e larta shtetërore. LDK do të ketë kandidatin që e ka propozuar për president, i cili kur zgjidhet zhveshët nga petku politik. Kryeministri gjatë gjithë kohës nuk zhveshët nga petku politik, as kryetari i Kuvendit”, thotë ai.

LDK ka insistuar që kryekuvendari t’i takojë partisë së tyre.

“Është çështje e tyre se si i zgjedhin punët brenda partisë, se si akomodojnë edhe zotëri Konjufca edhe të tjerët. Është politikë e tyre e brendshme partiake. Ne kemi ofruar një mundësi se si duhet të punojmë bashkë me VV-në në krijimin e institucioneve të reja. Tash ne nuk mundemi të mbesin peng i një qasje që ka përdorur gjatë kësaj periudhe LVV-ja. Zgjedhja zotëri Konjufca në krye të Kuvendit edhe tash proklamimi i faktit se kjo është e kryer është një politikë e aktit të kryer”, tha Hoti ndër të tjera.

“Është përgjegjësi e tyre që të gjejnë formulat për ndërtimin e institucioneve. Ne absolutisht nuk mund të interpretoj askush se kemi kushtëzuar themelimin e institucioneve të reja me kërkesa që janë jo racionale. Kërkesë jo racionale, le të themi do të ishte, të kërkojmë postin e kryeministrit”.