PDK: Vetëvendosja shkaktare e vetme e krizës, po i shmanget përgjegjësisë qeverisëse

Partia Demokratike e Kosovës e ka quajtur Vetëvendosjen shkaktare të vetme të krizës e cila është krijuar pas zgjedhjeve të 6 tetorit, duke shtuar se po i shmangen përgjegjësive qeverisëse.

Përmes një komunikate për media, PDK thotë se po i përcjell me shqetësim zhvillimet e këtyre pothuaj katër muajve të fundit ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, të cilat po e vazhdojnë fushatën parazgjedhore, por me mjete të tjera dhe në dëm të Kosovës. Parimet e tyre të prezantuara zëshëm janë shndërruar në pazare për karrige dhe asgjë tjetër.

“Partia Demokratike e Kosovës është e bindur se përgjegjësia për t’i formuar institucionet e reja i takon fituesit të zgjedhjeve dhe nuk bën të dëmtohet ky koncept i shëndoshë në demokracinë e re të Kosovës. PDK ka treguar konstruktivitetin e saj duke pranuar rezultatin zgjedhor dhe kaluar në opozitë menjëherë pas përfundimit të procesit të votimit. Nuk ka bërë asnjë ankesë në Gjykatë Supreme për të zvarritur certifikimin e procesit zgjedhor. Për më tepër, e ka lënë veten në mënyrë të qartë jashtë ekuacioneve e tavolinave të bisedimeve për qeverisje, duke u deklaruar pa asnjë ekuivok dhe ripotencuar se do të qëndrojë në opozitë” thuhet në njoftim.

Reklama e sponzorizuar

Prandaj, sipas tyre, çdo përpjekje për të gjetur justifikime, ose për të tjetërsuar përgjegjësitë në këtë vonesë nga Lëvizja Vetëvendosje, është e papranueshme.

“Kjo parti politike është shkaktarja kryesore e vonesës aktuale dhe dhënia fund e kësaj krize është tërësisht në dorën e saj. Qeveria ka dhënë dorëheqjen që më 29 korrik të vitit të kaluar. Faji dhe fati për qeverisjen e re është vetëm në dorën e Vetëvendosjes që prej 106 ditëve”, thuhet tutje në njoftim.

Sipas tyre, Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje duhet t’i marrin përgjegjësitë qeverisëse, por qytetarët e Kosovës do t’i kuptojnë shpejt mashtrimet dhe iluzionet që ata kanë kultivuar si dhe të shohin dështimin e ideve që kanë promovuar.

“PDK si parti opozitare do t’i mbajë llogaridhënëse dhe nuk do të lejojë të zhbëhen arritjet e deritanishme të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.