Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se më 14 janar Gjykata Themelore e ka njoftuar për pezullimin e vendimit të Zyra e Rregullatorit për Energji për shtimin e kapaciteteve me tarifa nxitëse për sistemet solare fotovoltaike.
Sipas VV-së, me aktvendim është aprovuar kërkesa e kësaj partie për pezullim të vendimit deri sa çështja të shqyrtohet nga Gjykata.
“Anëtari i Kryesisë Sami Kurteshi dhe aktivisti Getoar Mjeku, në cilësinë e përfaqësuesit ligjor, dorëzuan me 24 dhjetor padi ndaj vendimit të ZRRE-së për shtimin e kapaciteteve me tarifa nxitëse për sistemet solare fotovoltaike. Me 14 janar u njoftuam nga Gjykata Themelore me Aktvendimin ku aprovohet kërkesa jonë për pezullimin e këtij vendimi deri sa kjo çështje të shqyrtohet nga Gjykata”, ka njoftuar VV-ja.
Sipas kësaj partie, vendimi i marrë më 27 nëntor 2019 për skemën e re mbështetëse me tarifa nxitëse, “duke u garantuar disa prodhuesve të paracaktuar të energjisë së ripërtërishme blerjen e energjisë me çmim shumë të lartë”, është pa bazë ligjore.
“Të njëjtin vendim e patën marrë edhe në 2016 me një çmim edhe më të lartë se tash, 136.4 euro për MWh që u paguhet për 10 vite dhe mbi 50% të tyre një grupi financiar, Devollit. Por nuk u mjaftoi kjo, e përsëritën duke e zgjeruar në 20 MW dhe me tarifën nxitëse 85.5 euro për MWh, për 12 vite, tash mbi 60% të njëjtit grup financiar. Vendimi i paditur nga ne nuk ka bazë ligjore dhe përbën shkelje të rëndë të ligjeve në fuqi, cenon shtetin e së drejtës dhe cenon interesin publik në favor të interesave private të cilat në rastin konkret nuk shërbejnë për asgjë tjetër në sektorin energjetik e as obligimeve ndërkombetarë të Kosovës, përveçse nga faturat tona të energjisë do të paguhen Devolli e të tjerë për çmimin e energjisë”, thuhet në njoftimin e VV-së.