Banorët e fshatit Biti e Poshtme të Komunës së Shtërpcës po vazhdojnë të ankohen derisa kompania “Matkos Group” gjatë punimeve në hidrocentral dyshohet se ua ka dëmtuar rrjetin e ujësjellësit, ndërkohë prej më shumë se dy muajsh furnizimi i ujit është ndërprerë.
Rreth kësaj çështjeje banorët disa herë janë ankuar në komunë, madje kanë organizuar edhe protesta, mirëpo deri tashti nuk është rregulluar çështja e ujit të pijshëm, shkruan sot “Koha Ditore”.
Rreth 150 familje në këtë fshat prej kohësh po e kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentraleve dhe futjen e lumit Lepenc nëpër gypa, me arsyetim se po dëmtohen dhjetëra hektarë të parcelave bujqësore.
Agron Rushiti, banor nga ky fshat, ka thënë se prej më shumë se dy muajsh po përballen me mungesë të ujit të pijshëm pasi që kompania “Matka Group” ua ka dëmtuar rrjetin e ujësjellësit. Sipas tij, ndërtimi i hidrocentralit në këtë fshat do të paraqesë telashe të vazhdueshme edhe në të ardhmen, andaj, sipas tij, punimet e jashtëligjshme të tyre nuk po mund t’i ndalojë as shteti.