Qytetarët kërkojnë veprime konkrete për ndalimin e ndërtimit në Badovc, s’kanë asgjë kundër kompanisë

Organizatorët për mbrojtjen e Liqenit të Badovcit, Ardian Nrecaj dhe Ali Sefaj në Interaktiv të KTV-së kanë kërkuar nga institucionet që të ndërmarrin masa konkrete për ndalimin e ndërtimit në atë zonë, derisa theksojnë se s’kanë asgjë kundër kompanisë.

Nrecaj thotë së çdo gjë nisi kur e kishte parë se do të ndërtohej një lagje në brigjet e Badovcit, e grpin në Facebook e kishte hapur për t’iu dhënë zë qytetarëve.

“Tani kemi krijuar një grup prej 20 personave si më organizatorë, kurse në grup janë mbi 27 mijë persona. Kemi bërë pesë kërkesa. Ekziston një jotransparencë totale se çfarë po ndodh, Komuna e MMPH-ja njëra tjetrës po ia gjuajnë fajin”, është shprehur ai.

Reklama e sponzorizuar

Nrecaj tutje ka thënë se kërkesat tashmë janë protokolluar dhe shpresojnë se ato kërkesa nuk do të injorohen, derisa thekson se nuk do të lejohet asnjë ndërtim në atë zonë.

“Ujësjellësi nuk është pyetur fare për këtë çështje dhe nuk ka qenë as në dijeni. Ne nuk kemi kurrfarë telashe me investitorin, por nuk do të lejojmë ndërtimin. E garancinë e vetme e marrim nga ndërtuesi, E deri më tani ka qenë një lojë pingpong ndërmjet dy institucioneve. Për mbrojtjen e mjedisit është MMPH-ja. Ne kërkojmë përgjigje nga Komuna e MMPH-ja dhe nuk kemi punë me investitorin privat, dhe ne duam të mbrojmë ujin e pijes. E gjithë diskutimi me publikun ka nisur pas presionit publik. E kjo të bënë me nënkuptuar se diçka është duke u fshehur. E projekti hynte edhe në zonën e parë. E jotransparenca e madhe ishte shqetësuese. Të martën do të jemi në Kuvendin komunal dhe do të mbajmë fjalën tonë”, është shprehur Nrecaj.

Ai shton se natyra ruhet duke e lënë ashtu siç është, e biodiversiteti dëmtohet edhe nga fillimi i ndërtimit, e sado që pretendojnë se ajo lagje do të ketë të gjitha kushtet por është absurd të thuhet se ajo mbrohet duke ndërtuar në atë zonë.

Nrcaj bën të ditur se do të bëhet pastrimi i Badovcit, të dielën.

“Badovci është i hapur ndaj qytetarëve dhe ata e vizitojnë dhe për këtë arsye ke ky reagim i qytetarëve. Është krijuar një situatë e mirë ku qytetarët vetvetiu po ndërmarrin masa për pastrimin e Badovcit. Ky aksion nis të dielën nga ora 10:00. Do të jemi edhe ne aty. Njëra nga gjërat që na brengos janë hidrocentralet që operojnë pa leje mjedisore. Komuna është pajtuar se nuk duhet të ndërtohet aty, në anën tjetër edhe MMPH-ja, por duam të shohim veprime që kjo të ndalohet”, u shpreh ai.

Kurse Ali Sefaj thotë se ndërtimi në atë zonë është në kundërshtim me ligjin.

“Pa ujë nuk mund të mendosh ujë. Unë jam zyrtar ligjor dhe merrem me çështjet e ambientit. Si mund të jepet leja pa minimumin e transparencës. Vendimi i Qeverisë për shpalljen liqe akumulues e ndalon në mënyrë eksplicite se ndalohen ndërtimet që rrezikojnë ujin. Ka pas mostransparencë në të dyja institucionet. Kemi kaq pak burime ujore, atij (kompanisë) mund t’i gjendet një lagje tjetër. Për neve është krejtësisht e parëndësishme ndaj emrave të individëve apo kompanisë. Insistojmë me ngulm se në atë vend nuk mund të ndërtohet asnjë objekt, përveç ndonjë objekti që është për përkujdesje të ujit”, ka thënë Sefaj.

Ai thotë se janë dy mundësi me këtë rast.

“Ose të ballafaqohen me reagimin qytetar, ose do anulohen këto vendime. Dhe për mua si jurist mendoj se MMPH-ja duhet ta shfuqizojë këtë vendim. Kompania mund të jetë më e mira, s’kemi kurrgjë me ta, por tE zonat e dyta nuk mund të ndërtohet sepse rrezikohet uji. Liqeni i Batllavës ka lagje, por ai ka qenë akumulim për industri. Ku ka ujë të pijes dhe ku ka liqene artificiale e kemi për obligim të mbrojmë edhe florën e faunën që janë të rrezikuara, pasi iu rrezikohet habitati”, ka thënë Sefaj.

Ai ka shtuar se Kosova është vend i varfër me ujë, dhe nuk ka luksin për këto gjëra.

“Ministri duhet ta konfirmojë gatishmërinë me anulimin e atij vendimi. Në atë zonë nuk mund të ndërtohet, e kjo ndalohet edhe me legjislacion. Kjo duhet të na shërbejë që kauza për të mirën e resurseve të vendit. Kjo kategori që kanë mundësi të investojnë, ndoshta familjet e tyre nuk jetojnë aspak në këtë vend. Duhet të shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat për të zhbërë këtë vendim. Të dy palët bartin pjesën e tyre të fajit (Komuna e MMPH). Ministria duhet t’ia propozojë Qeverisë që të ndalohen të gjitha ndërtimet në këto liqene, pasi rrezikohet cilësia e ujit”, ka thënë Sefaj.

Ai ka shtuar se edhe Kuvendi Komunal mund të ndalojë këtë projekt.

“Kërkojmë nga asambleistët që të nxjerrin një vendim që për zonën në fjalë të mos jepen kushte të tilla ndërtimi. Asamblea komunale e ka këtë fuqi pasi e voton hartën zonale. Akoma ka kohë që të merret një vendim për të na larguar nga kjo amulli, në të kundërtën ky ndërtim nuk do të ndodhë. Kompania ka të drejtë të pretendojë, mirëpo legjislacioni ia pamundëson dhe institucionet duhet të ndërmarrin veprime të prera. Komuna e Prishtinës dhe MMPH duhet t’ia sqarojë palës se nuk mund të ndërtojë atje”, ka thënë Sefaj.