Sa do t’i kushtojë Kosovës mbrojtja në Arbitrazh?

Mbi 1 milion euro pritet t’i kushtojë mbrojtja Kosovës vetëm për dy raste të arbitrazheve ndërkombëtare. Këto para do t’iu jepen zyrave ligjore që do të përfaqësojnë Telekomin dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit në Arbitrazh. Njëra kompani është franceze, derisa tjetra nga ShBA’të. Në rast të mospërfaqësimit të duhur, shteti rrezikon të humbë rreth 200 milionë euro.

Rreziku i humbjes së miliona eurove i ka vënë në lëvizje Telekomin e Kosovës dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Të dy këto ndërmarrje tashmë kanë angazhuar zyre ligjore për t’i përfaqësuar interesat e tyre në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Telekomi do të përballet në këtë gjykatë me kompaninë Z-Mobile. Kompania e Blerim Devollit e ka dërguar Telekomin në Arbitrazh, nëpërmjet një padie 28-faqëshe.

Reklama e sponzorizuar

Në arbitrazhin e dytë, Z-Mobile kërkon rreth 13.5 milionë euro për shkak të dëmeve të shkaktuara nga Telekomi.

Z-Mobile pretendon se marrëveshja, e nënshkruar në vitin 2009, është në fuqi dhe nuk ka përfunduar më 31 korrik 2019, siç pretendon Telekomi i Kosovës.

Sipas kësaj kompanie, marrëveshja mbetet në fuqi për faktin që Telekomit, po më 31 korrik, i është vazhduar licenca nga Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit.

Mënjëherë pas kësaj padie, Bordi i PTK-së kishte thënë se do të përfaqësohen profesionalisht në Arbitrazh dhe se do të dëshmoheshin dëmet e shkaktuara nga Z-Mobile.

Ata kishin thënë se mos vazhdimi i kontratës me Z-Mobile kishte ardhur pas ekspertizave dhe konsultimeve ligjore dhe se ishte në pajtim me ligjin.

Për këtë çështje, ata tashmë janë vënë në lëvizje, duke angazhuar një kompani të huaj ligjore.

Në dhjetor të 2018’ës, Telekomi i Kosovës ka shpallur tender në vlerë 1 milion e 500 mijë euro për shërbime të përfaqësimit në Arbitrazh Ndërkombëtar.

Njoftimi për nënshkrimin e kontratës

Përmes njoftimit për nënshkrim të kontratës të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurorimit Publik, është bërë me dije se zyra ligjore që do ta përfaqësojë Telekomin në ‘ballafaqimin’ me Z-Mobilen e Devollëve është “Hogan Lovells (Paris) LLP” me seli në Paris të Francës.

 “Shërbime ligjore te përfaqësimit të autoritetit kontraktues pranë arbitrazhit ndërkombëtar për rastet e ngritura. Me këtë kërkesë pritet që të angazhohen kompani te specializuara për përfaqësim te Telekomit te Kosovës pranë Arbitrazhit ndërkombëtar sipas rregullave te Dhomës Ndërkombëtare te Tregtisë (ICC –International Chamber of Commerce)”, thuhet në njoftimin për nënshkrimin e kontratës.

Njoftimi për nënshkrimin e kontratës

E ndonëse fillimisht për këtë tender ishin ndarë mbi 1 milion euro, në fund kontrata është nënshkruar për 630 mijë euro.

Por, kjo nuk është kompania e vetme që e ka paditur Republikën e Kosovës në Arbitrazh. Shtetit i rrezikohen milionat edhe nga padia që ka dorëzuar një kompani gjermane për Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Nga kjo padi, AKP’së i rrezikohen rreth 10 milionë euro. E meqenëse deri te përballja ka mbetur edhe pak kohë,  AKP’ja me urgjencë ka angazhuar një kompani të huaj ligjore për përfaqësim.

“Departamenti Ligjor aktualisht ndodhet në fazën e shqyrtimit paraprak konkretisht në fazën e përzgjedhjes së arbitrave duke qenë në vazhdimësi të angazhuar në korrespodenca me palën paditëse. Kjo edhe nënkupton që kontesti ka filluar dhe rrjedhimisht është më se e domosdoshme që me urgjencë të angazhojmë përfaqësuesin ligjor, qe duhet të jetë një Kompani ligjore Ndërkombëtare e mirënjohur dhe me ekspertizë të veçantë në çështjet e arbitrazhit komercial”, thuhet në njoftimin për nënshkrim të kontratës.

Njoftimi për nënshkrimin e kontratës

Në njoftimin e publikuar në KRPP, është bërë e ditur se kompania që do ta përfaqësojë Agjencinë Kosovare të Privatizimit në Arbitrazh është  “Squire Patton Boggs (US) LLP”, me seli në New York të ShBA’ve që do ta përfaqësojë AKP’në në Arbitrazh.

Vlera e parashikuar e kësaj kontrate fillimisht ka qenë 700 mijë euro, por që në fund është nënshkruar për 711 mijë euro. Mirëpo, pas negociatave edhe ky çmim është zbritur.

“Pas negociatave të zhvilluara nga Komisioni për negocim, çmimi përfundimtar dhe total i kontratës së nënshkruar është 699,000.00 Euro”, thuhet në njoftim.

Njoftimi për nënshkrimin e kontratës

Gazeta Express ka provuar që të marrë informacione edhe se kush do ta mbrojë Kosovën në rastet e tjera, por në Ministrinë e Drejtësisë nuk kanë dhënë detaje.

Ndryshe, tri kompani vendore dhe një e huaj kanë dorëzuar padi kundër Republikës së Kosovës në Arbitrazh, derisa edhe dy të tjera janë hapave të tyre.

Në mesin e kompanive që kanë dorëzuar padi është edhe kompania e Ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacollit.

“MABCO Constructions”, e ka paditur Qeverinë e Kosovës, përkatësisht Ministrinë e Drejtësisë, lidhur me rastin e Hotel Grandit, të cilin Pacolli e kishte blerë, por që më pas i ishte anuluar ky privatizim.

Padi në Arbitrazh ndaj shtetit të Kosovës ka bërë edhe kompania e ish-zyrtarit të PDK-së, Bedri Selmani.

Selmani e akuzon shtetin për shkelje të rëndë ligjore të afarizmit të ndërmarrjes, që i është bërë nga ana e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), përmes ofertimit për dhënien me qira të një pjese të aseteve të “Kosova Petrol”, të cilat, siç pretendon Selmani, nuk ishin as në administrim dhe as në menaxhim të AKP-së.

Ndërkohë, ende pa përfunduar këto raste, padi në Arbitrazh kanë paralajmëruar edhe dy kompani tjera.

Bëhet fjalë për “Monego” dhe “Iute Credit”, të cilave para rreth një muaji iu revokua licenca nga Banka Qendrore e Kosovës.

Sipas avokatit të “Iute Credit”, mund të ketë padi me dëme deri në 12 milionë euro.

“Brenda disa ditëve do dërgohet shtyrja e vendimit në gjykatë, ta shpëtojmë IuteCredit nga likuidimi, t’i ruajmë 340 vende pune. Do mund të ketë padi në gjykatën e arbitrazhit me dëme deri 12 milionë euro. Të heqim njollën diplomatike të Kosovës për shtetin që e ka përkrahur që nga fillimi, besoj se këto padrejtësi do rishikohen në gjyqësor”, ka paralajmëruar avokati Korab Sejdiu.

Padi në Arbitrazh ka paralajmëruar edhe “Monego”. Përfaqësues të autorizuar të kësaj kompanie kanë mbajtur një konferencë për medie në të cilën kanë kërkuar që të mos revokohet licenca para një vendimi të Gjykatës. E në rast se vendimi i Gjykatës është negativ, kanë thënë se rasti do të dërgohet edhe në arbitrazh.

Rreth këtyre rasteve është deklaruar ditë më pare edhe Ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri. Ai ka paralajmëruar punë të vështirë për pasardhësin e tij në këtë dikaster.

“Tri çështje mjaftë komplekse dhe sfiduese për Ministrin e ardhshëm të Drejtësisë janë rastet e arbitrazheve, që bien në domenin e Ministrisë së Drejtësisë. Republika e Kosovës do të ballafaqohet me tri raste që janë në arbitrazh ndërkombëtar. Ministri i ri duhet të ketë shumë kujdes dhe të angazhoj ekipe të mirëfillta për përballje në arbitrazh me këto raste. Në total këto padi arrijnë në 150 milionë euro”, ka thënë Tahiri.

Ndryshe, Kosova, vitin e kaluar ia doli të fitojë një rast aspak të lehtë në Tribunalin e Arbitrazhit. Në fakt ishte padia më e madhe që i ishte bërë shtetit nga kompania gjermane AXOS për rastin e privatizimit të dështuar të Telekomit të Kosovës.

Kjo kompani në padinë ndaj Kosovës kishte kërkuar hiq më pak se 380 milionë euro dëmshpërblim me pretendimet se në mënyrë të paligjshme i ishte mohuar e drejta në privatizimin e Telekomit të Kosovës.

Por, kishte qenë pala mbrojtëse e Kosovës, e cila e kishte dëshmuar të kundërtën dhe falë tyre shteti ka arritur të shpëtoj nga ky ndëshkim multi milionësh.

Rrjedhimisht, Kosova nuk i humbi 380 milionë por i fitoj afër 2 milionë euro me vendim të plotfuqishëm të Gjykatës së Arbitrazhit.

Në vendimin e arbitrazhit përmendet shpesh profesor Qerim Qerimi, i cili me dëshmitë bindëse që ka ofruar, ka rrëzuar pretendimet e avokatëve mbrojtës të kompanisë gjermane AXOS.

“Kosova ka ofruar dëshmi bindëse në dëshminë e profesor Qerimit dhe ligjeve relevante të Kosovës. Axos e ka sfiduar interpretimin e ligjeve të Kosovës dhe praktikës gjyqësore, por nuk ka ofruar dëshmie ekspertize në këtë aspekt”, thuhet shprehimisht në paragrafin 206 të këtij vendimi.