Sa para erdhën nga diaspora gjatë vitit 2019?

Kosova si vend me një pjesë të madhe të popullsisë në diasporë dhe ekonomi të pazhvilluar, ka qenë tejet e varur nga mjetet financiare që kanë ardhur nga mërgata, e të cilat herë janë shndërruar në investime për projekte konkrete, herë janë orientuar vetëm tek konsumi.

Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës, tregojnë se vetëm deri në fund të tetorit të vitit të kaluar, më shumë se 700 milionë euro kanë ardhur në Kosovë nga perëndimi. E nga Ministria e Diasporës thonë se përmes aktiviteteve të ndryshme kanë ndikuar që këto para të shndërrohen në projekte konkrete.

Kosova ka pranuar 705 milionë euro remitenca apo mjete financiare nga mërgata vetëm deri në fund të tetorit të vitit të kaluar, kanë bërë të ditur nga Banka Qendrore e Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

E nëse e krahasojmë me buxhetin e Kosovës për vitin e kaluar, kjo shumë përkthehet në 1/3 e saj.

“Vlera e remitencave të dërguara në Kosovë deri në fund të tetorit 2019 arriti shumën prej 705.6 milionë euro. Vendet nga ku më së shumti vijnë remitencat janë: Gjermania, Zvicra, SHBA, Franca dhe Austria. Po ashtu në Kosovë deri në këtë periudhë pati 256.9 milionë euro Investime të Huaja Direkte”, deklaroi për FaktePlus zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti.

Megjithkëtë nga BQK thonë se pasi shumica dërrmuese e remitencave janë në vlera të vogla, ato kryesisht përdoren për konsum.

Por, kështu nuk mendojnë nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike (MDIS).

Nga ky dikaster kanë thënë se përmes aktiviteteve që i kanë organizuar, u kanë hapur rrugë investimeve dhe projekteve konkrete në Kosovë.

Ata kanë përmendur organizimin e takimeve të ndryshme, si organizimin e Konventës me Biznese të Diasporës dhe të Huaja, mandej takimet tradicionale me Bizneset e Diasporës në Kosovë, e organizimin e sesioneve të ndryshme informuese.

“Në bashkëpunim me Rrjetin e Bizneseve të Diasporës Shqiptare dhe mbështetje të USAID- it është organizuar Konventa me Biznese të Diasporës dhe të Huaja dhe takimet B2B në Kosovë dhe diasporë; janë organizuar Takimet Tradicionale me Bizneset e Diasporës në Kosovë, si dhe prezantimi i Platformës DIKOS që ju ka mundësuar bizneseve njohjen mes vete;  janë organizuar  Sesione Informuese për biznese shqiptare në vendet e ndryshme të Evropës me temën; “Klima e Investimeve në Kosovë” dhe janë zhvilluar vizita tek bizneset shqiptare  në disa shtete të botës”, kanë theksuar nga MDIS-i për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.

Po ashtu në bashkëpunim me institucionet tjera relevante si; KIESA, MPJ, Doganat, Administratën Tatimore të Kosovës…etj,  nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, thonë se kanë organizuar takime me institucionet analoge të shtetit të Italisë dhe të Kroacisë.

Me këto shtete është provuar shkëmbimi i përvojave reciproke për kanalizimin sa më të mirë të remitencave dhe inkurajimin e mërgimtareve për të investuar  në vendin e origjinës.

Në këtë rrjedhë janë bërë edhe broshura informuese me storie suksesi të investitorëve të ndryshëm në Kosovë, me qëllimin që të shërbejnë si motiv dhe inkurajim për biznese të ndryshme që janë investitorë potencial.

Nga MDIS po ashtu kanë theksuar se kanë krijuar mekanizma këshilldhënës e financiar për eliminimin e barrierave dhe inkurajimin e zhvillimit të afarizmit në Kosovë nga diaspora; kanë organizuar bizneset duke ndihmuar në  bashkimin e tyre në Unionin e Bizneseve dhe Rrjetin e Bizneseve; kanë mundësuar përmes takimeve marrëveshje mes bizneseve vendore dhe të diasporës, me theks të veçantë për eksportin e prodhimeve vendore në diasporë etj.

Por se insitucionet po bëjnë sa duhet për të inkurajuar investimin dhe krijuar një klimë më të favorshme për investime nga mërgata, nuk mendon ekonomisti Mustafë Kadrijaj.

Ky i fundit thekson se korrupsioni i lartë dhe ndikimi i grupeve joformale në të bërit biznes, po i demotivon mërgatën për të investuar.

“Se sa po bëjnë institucionet për orientimin e remitancave ne investime të mundshme, mund të them se për fat jo të mirë, jo.  Kjo për faktin që diaspora përkundër vullnetit dhe gatishmërisë nuk ka siguri për të investuar si rezultat i gjendjes ekonomike, korrupsionit të lartë dhë njëherit ndikimit të grupeve jo formale në të bërit biznes. Pra me një gatishmëri të institucioneve dhe krijimin e infrastrukturës ligjore për të mbrojtur çdo investim të mundshëm, pastaj infrastrukturës tëknike me theks të veçantë eliminiminin e reduktimeve të energjisë eletrike, do të kishim më shumë investime”, potencoi Kadrijaj për FaktePlus.

Ai shton se institucionet mund të ndikojnë që remitencat të kenë rol vendimtar në zhvillimin ekonomik, e cila thotë ai, mund të ndodhë vetëm nëse ato përdoren për investime e jo në konsum.

“Me një vullnet të politikës dhe institucioneve në vend, remitancat do të luanin rol vendimtar në zhvillimin ekonomik që si rezultat do të llogariteshin si investime të jashtme dhe njëherësh do të parandalonte largimin e të rinjve duke përmirësuar gjendjen ekonomike në vend. Mënyra më e mirë është që remitancat tani e tutje të luajnë rolin investiv të cilat do të ndikonin në zhvillim ekonomik sepse deri më tani janë orientuar në pasuri të tundshme dhe të patundshme dhe për shportë të konsumit dhe të tekstilit, të cilat përveç ndikimit ne tregti nuk kanë tjetër efekt ekonomik”, është shprehur tutje Kadrijaj.

Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës të publikuar më 2014, popullsia emigruese jashtë Kosovës është 550,000 ndërsa popullsia e vlerësuar me prejardhje kosovare (e lindur jashtë Kosovës) është 153,978. Kjo në total arrin në 703,978. Shteti ku më së shumti kanë emigruar kosovarët është Gjermania me 35.25%, e pasuar nga Zvicra me 22.94%. /FaktePlus/