Seanca për “Veteranët” dështon shkaku i mungesës së kartelave të avokatëve

Të shpeshta janë dështimet e seancave në gjykatat kosovare pa ndonjë arsye të qëndrueshme, e një i tillë ndodhi këtë të enjte.

Avokatët që nuk kishin kartela anëtarësie të Odës së Avokatëve të vitit 2020, nuk u lejuan të futen në Pallatin e Drejtësisë, e jashtë gjykatës mbeti edhe Ramë Gashi, avokati i Agim Çekut.

Çeku, një prej të akuzuarve në rastin e Veteranëve, nuk ishte i pajtimit të vazhdonte seanca pa prezencën të avokatit të tij, derisa Arianit Koci, që në këtë rast përfaqëson Shkumbin Demaliajn, ndalimin e kosideroi si ofendim, e nga faji nuk përjashtoi as gjykatën, raporton KTV.

Reklama e sponzorizuar

Kryetarja e trupit gjykues Nushe Kuka-Mekaj bëri të ditur se janë sqaruar me kryetaren e Gjykatës dhe ishte hequr ndalesa.

Mungesa edhe e dy avokatëve të tjerë për arsye të ndryshme, pamundësoi vazhdimin e seancës, e një e tillë është planifikuar edhe për të premten.

Përndryshe, me kërkesën e Odës së Avokatëve, nuk janë pajtuar as anëtarë të këshillit drejtues të saj.

Televizioni ka tentuar gjatë ditës të marrë një qëndrim edhe nga kryetari i Odës së Avokatëve, Osman Havolli, por i njëjti ka qenë i paqasshëm.