Shefi i Policisë, Rashit Qalaj, ndërton vilë luksoze në Brezovicë (Dokument)

Qendra më e madhe turistike e Kosovës “Brezovica” po vazhdon të mbushet nga ndërtimet prej betoni. E numrit në rritje të ndërtimeve tashmë i është shtuar edhe një Vilë. Atë po e ndërton numri një i Policisë së Kosovës, drejtori Rashit Qalaj. FaktePlus sjellë për herë të parë fotografi të kësaj vile dhe deklaratën e Qalajt, i cili tregon se ku i mori paratë për ndërtimin e kësaj shtëpie për pushime.

Vila ose shtëpi pushimi luksoze që kushtojnë prej mijëra euro po ndërtohen në Brezovicë. Këto ndërtime në këtë pjesë turistike të Kosovës i kanë bërë kryesisht njerëzit më të fuqishëm të Kosovës. Aty prona e shtëpi për pushime në të shumtën e rasteve kanë njerëzit e biznesit, politikës dhe krerë të institucioneve.

E vilë në Brezovicë po del të ketë edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj. Agjencia e Lajmeve FaktePlus ditë më parë ka mësuar për ndërtimin e kësaj shtëpie pushimi dhe ka siguruar edhe pamje të saj.

Reklama e sponzorizuar

Meqë shefi i Policisë këtë pronë në vlerë të mijëra eurove nuk e ka bërë publike kurrë deri më tani, ka nxitur edhe interesimin e FaktePlus për të. Kjo pasi, krerët e institucioneve janë të detyruar me ligj të deklarojnë gjithë pasurinë e tyre.

E se kjo vilë ka për pronar Qalajn, e ka konfirmuar edhe vetë ai. Por, për këtë “sekret” Rashit Qalaj ka folur vetëm pas interesimit që ka bërë FaktePlus.

“Tokën e kam ble në fillim të këtij viti së bashku me bashkëshorten time. Kemi filluar ta ndërtojmë diku në fund muajit korrik apo fillim të muajit gusht”, tha Qalaj për FaktePlus.

Pra, tokën prej 3 ari, siç deklaron vetë Qalaj e ka blerë në fillim të vitit 2019 në vendin e quajtur Orlovica të Brezovicës, porse nuk dihet se sa mijëra euro i kanë kushtuar saktësisht 3 ari e 28 metra.

Por, në një prononcim  për FaktePlus, Qalaj tregon se ku i mori paratë dhe sa i ka kushtuar ndërtimi i kësaj shtëpie për pushime.

“Në fakt në muajin korrik kemi aplikuar me shoqen time për kredi në bankën NLB këtu në Prishtinë, të cilën e kemi marrë bashkërisht. Vlera e kredisë ka qenë 30 mijë euro dhe kemi lidhur marrëdhënie kontraktuale me një kompani për ndërtimin e një shtëpie pushimi në Brezovicë, e cila është në ndërtim e sipër. Diku madhësia e tokës është 328 metra katror, 3 ari e 28 metra i bie. Ndërsa shtëpia e pushimit është në ndërtim e sipër”, tregon Qalaj.

Ndërkohë një person, i cili ka vite që jeton në Brezovicë, në kushte anonimiteti i ka thënë agjencisë se këtë Vilë flitet që Rashit Qalajt ia ka bërë “dhuratë” kompania Bavaria, që për pronar ka Blerim Hysenin.

Pas këtyre dyshimeve, FaktePlus ka kontaktuar me Hysenin. Ky i fundit ka mohuar kategorikisht se ai dhe Bavaria kanë lidhje me vilën e Qalajt.

“Sa i përket vilës unë iu siguroj, iu garantoj që lidhje me vilën asnjë ditë as një sekondë s’kemi. Po flas si Bavari nuk ka marrë pjesë as në një pjesë më të vogël aty. Do me thënë nuk ka të bëjë kurgjo lidhje, ajo vilë me mua apo  me kompaninë time. Mua dhe Rashitin ndoshta na kanë parë me qindra herë bashkë dhe kanë me na pa se ne jemi tu jetu në këtë vendin e vogël. Unë nuk e fshehi miqësinë me të”, ka deklaruar Hyseni për FaktePlus.

Edhe vetë Qalaj ka treguar se me ndërtimin e vilës është duke u marrë një kompani tjetër dhe se kjo nuk ka të bëjë asgjë me “Bavarinë”.

E kjo është vërtetuar edhe në bazë të dokumentacionit dhe pagesave që ka bërë drejtori Qalaj ndaj kompanisë ndërtimore.

“Ata janë shokët e mi që nga vitet e 90-ta, që nga shkolla e mesme. Kam shumë shokë të mirë, absolutisht Bavaria as nuk ndërton e as nuk ka të bëjë me Brezovicë. Ata janë shokët e mi, familjarët e mi”, tregon ai për FaktePlusndërsa prezanton edhe pagesat që janë bërë ndaj një kompanie tjetër që po kryen ndërtimin.

Kjo është pasuria e deklaruar në vitin 2019 nga drejtori i Policisë, Rashit Qalaj:

Drejtori i Policisë, Rashit Qalaj, është njëri prej personave që e ka deklaruar pasurinë e tij në Agjencinë Anti-Korrupsion.

Në të dhënat e publikuara në vitin e kaluar, Qalaj shihet se ka 135 mijë euro pasuri të paluajtshme.

Prej tyre ai ka një shtëpi në pronësi të tij në vlerë prej 40 mijë euro dhe një tjetër në pronësi të prindit, në vlerë prej 30 mijë euro.

Qalaj po ashtu ka të deklaruar një oborr në pronësi të tij në vlerë prej 45 mijë euro dhe një tjetër në pronësi të prindit, që kap shifrën prej 20 mijë euro.

Drejtori i Policisë ka të deklaruar pagë vjetore neto në vlerë prej 20 mijë e 428 euro, kurse mëditje i ka të deklaruara 644 euro. Ndërsa 185 euro i merr nga takimet e bordit të Akademisë Kosovare të Sigurisë Publike.

Ndërkohë bashkëshortja e Qalajt që punon në një degë të Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” në Lipjan, pagën mujore e ka 494 euro.

Qalaj ka po ashtu një veturë të blerë prej 8 mijë euro, në vitin 2017.

Ai ka një kredi në ‘ProCredit’ e cila ishte paraparë të paguhej në vitin e kaluar, në shumën prej 20 mijë euro.

Sa i përket parave të mbajtura në banka, Qalaj i ka afër 4 mijë euro në emër të tij në bankën ‘ProCredit’ dhe një shumë përafërsisht të njëjtë në bankën e njëjtë, por zotërues të të cilave i ka paraqitur fëmijët. Kurse, 7 mijë e 153 euro i ka në ‘Bankën Ekonomike’, zotëruese e të cilave është bashkëshortja./