Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë që nuk ka mundësi të ndodhë që të bëhen ndërtime në liqenin e Badovcit.
Ahmeti në Zona B në Klan Kosova, ka theksuar se komuna nuk e ka në plan të mbrojë projektin për këto ndërtime.
“Nuk ka rrezik që Badovci të kthehet në vend – ndërtim. Ne po punojmë që t’i largojmë ujërat e zeza nga ky liqen”.
“Në vitin 2013, Qeveria në një mbledhje ka kaluar një numër vendimesh në të cilat për cdo liqe i ka specifikuar se cilat zona janë të mbrojtura. Vendimi është i specifikuar për mbrojtjen e liqenit të akumulimit të Badovcit”.
Ahmeti është sqaruar lidhur me dhënien e kushteve ndërtimore për palën në fjalë.
“Në mbledhjen e sotme, unë ju thash që ne si ekzekutiv nuk e kemi mendjen për ta mbrojtur projektin. Nuk ka arsye të thirret mbledhje e jashtëzakonshme. Qytetarët duhet ta dinë që liqeni është artificial, ku pjesën më të madhe qeverisja jonë e ka futur në peisazh të mbrojtur dhe ka prona komunale atje”.
“Nuk ka kurrfarë paqartësie rreth asaj që çka mund të bëhet. Pala s’ka aplikuar fare për leje”.
“Këto liqene nuk janë të menduara për shëtitje dhe notim, madje noti është i ndaluar. Liqeni i Badovcit është ndërtuar mbi shtëpi. Ideja e akumulimit ka qenë mbi vendbanim, për ta furnizuar qytetin me ujë. Prishtina e merr ujin nga Ujmani, Batllava dhe Badovci që është furnizuesi më i vogël”.
“Këto të trija tash janë pronë e shtetit të Kosovës, sikurse të gjitha resurset ujore. Në Batllavë ka restorante në ujë pa kurrfarë mbrojtjeje. Ajo që më pengoi sot në takim ishte euforia që me një vendim u munduan t’i zhbëjnë 20 vjet legjislacion në Kosovë”.