Spanja kërcënon se do të bojkotojë Samitin e Zagrebit për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës, raporton Radio Evropa e Lirë nga burime të besueshme në Madrid, Zagreb dhe Bruksel, transmeton Koha.net.
Sipas tyre, zyrtarët spanjollë i kanë paralajmëruar nikoqirët e samitit të ardhshëm se nuk do të marrin pjesë në takimin ku Kosova ka pjesëmarrje të barabartë me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor.
Po sipas burimeve, diplomatët e vendeve tjera të Bashkimit Evropian janë njoftuar tashmë se Spanja mund ta anashkalojë Samitin e Zagrebit.
Ky Samit midis përfaqësuesve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor do të mbahet më 6-7 maj.
Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ndaj Qeveria në Madrid e ka sfiduar pjesëmarrjen e barabartë të Kosovës në të gjitha tubimet e nivelit evropian.
I pyetur nga Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, për problemet e mundshme në organizimin e samitit për shkak të pjesëmarrjes së barabartë të Kosovës, kryetari i Parlamentit kroat, Gordan Jandrokoviq, ka thënë se nuk është e lehtë të përputhen interesat e të gjitha vendeve anëtare të BE-së.
“Kur ka interesa të ndryshëm, atëherë negociohet gjatë”, ka thënë Jandrokoviq, i cili ka konfirmuar se kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq, është në kontakt me të gjithë liderët evropianë rreth organizimit të samitit.
Jandrokoviq po ashtu ka thënë se Qeveria e Kroacisë do të bëjë gjithçka të mundur për t’iu dhënë vendeve të Ballkanit Perëndimor perspektivë të qartë evropiane.
“Jo të gjitha vendet e BE-së kanë një qëndrim dhe entuziazëm të tillë. Ne do të flasim në interesin më të mirë të fqinjëve tanë” ka thënë mes tjerash ai.
Sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë, zyrtarët në Zagreb janë të bindur se deri në maj do të gjendet një formulë që do t’i lejojë të gjithë të ftuarit në Samit të marrin pjesë.