Pandemia ‘goditi’ vreshtarët e Rahovecit, shitja e rrushit ra për 60 për qind

Vreshtarët e Rahovecit çdo vit përballen me probleme në shitjen e rrushit. Sivjet edhe pandemia duket se e ka bërë të veten.

Blendrita Avdiu

Vreshtarët e Rahovecit patën probleme me shitjen e rrushit edhe këtë vit. Kjo si pasojë edhe e krizës pandemike në vend, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Bilall Durguti, vreshtar, sivjet realizoi rendiment në nivel rekord, diku rreth 20 mijë kilogramë rrush, mirëpo nuk arriti ta shesë as gjysmën.

Vreshtarët e Rahovecit çdo vit përballen me probleme në shitjen e rrushit. Sivjet edhe pandemia duket se e ka bërë të veten.

“Sa i përket rrushit të verës po kemi pas problem në shitjen dhe gjetjen e tregut, edhe pse të mbjella kam pasur 20 mijë kilogramë rrush për këtë vit“, ka thënë Durguti.

Sipas tij, nga ndikimi i pandemisë, shitja e rrushit ka rënë për 60 për qind. Çmimi i ulët i rrushit është një problem tjetër. Sipas Durgutit, çmimet kanë qenë të ndryshme varësisht prej blerësit, pro janë luhatur mes 17 deri në 35 centë kilogrami për rrushin e zakonshëm dhe 8 centë për rrushin e verës.

Mirëpo, të njëjtën gjë nuk e thonë edhe nga Shoqata e Vreshtarëve të Kosovës. Sipas këtyre të fundit, shitja e rrushit në vend këtë vit ka qenë e mirë dhe se janë ndarë të kënaqur me shitjet e realizuara.

Nënkryetari i kësaj shoqate, Behar Haxhimustafa, thotë se rrushi ka arritur të shitet në dy bodrumet e Kosovës, por ka pasur edhe eksport në Shqipëri e Mal të Zi. Edhe bodrumet Haxhi Jaha dhe ai Biopak i hapen dyert për blerje të rrushit nga vreshtarët.

“Problem nuk kemi pasur edhe pse krahas kësaj vreshtarët janë ankuar mirëpo problemi u zgjidh pasi që rrushi dhe vera është shitur edhe në vendet e rajonit si në Mal të Zi, dhe Shqipëri”, thotë ai.

Në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë vreshtarët e arritën një marrëveshje për shitjen e rrushit. Kilogrami i rrushit të verës shkoi në 8 centë, kurse 17 deri në 35 centë kilogrami i rrushit të zakonshëm. /Buletini Ekonomik/