Veliu: VV-ja po dëshiron pushtet absolut dhe nënshtrim të LDK-së – këto janë përpjekje të dështuara

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ofertën e fundit të Lëvizjes Vetëvendosje e ka quajtur përpjekje “joserioze” për arritjen e marrëveshjes me partinë që ai përfaqëson.

Në një postim në Facebook, Veliu ka thënë se përpjekja e LVV-së “sigurisht që është e dështuar dhe nuk duhet ta ndihmojë askush prej nesh”.

Reklama e sponzorizuar

“Angazhimi dhe veprimet e ditëve të fundit të VV-së nuk janë një përpjekje serioze për ndërtimin e institucioneve dhe arritjen e marrëveshjes me LDK-në për të bashkëqeverisë mbi bazën e fuqisë së votës. E tërë kjo është një përpjekje e VV-së për pushtet absolut dhe për ta nënshtruar e nënçmuar LDK-në, duke provuar t’ia nëpërkëmbin dinjitetin”, ka thënë Veliu mes tjerash, raporton Koha.net.

Tutje, ai thotë se “kërkesat e sotme të VV-së shkojnë edhe më larg, në synimin e tyre që LDK të shkëputet nga e kaluara e saj evropiane dhe euroatlantike”.

Ai pyet se “nga cila e kaluar duan ata të shkëputemi? Mbase duan që të distancohemi edhe nga rugovizmi”.

“Kjo përpjekje e tyre sigurisht që është e dështuar dhe nuk duhet ta ndihmojë askush prej nesh”, ka potencuar në fund Agim Veliu, nënkryetar i LDK-së.

Sot Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar ofertën e tyre drejtuar LDK-së ku bazë është rritja e numrit të ministrive, nga 12 sa ishin dakorduar më parë, në 14 sosh.