Punimet për zgjerimin e rrugës që kanë filluar në muajin korrik të vitit të kaluar te ura në Veternik në Prishtinë, po shkaktojnë kolona të gjata në kryeqytet.
Edhe pse ishte premtuar nga Ministria e Infrastrukturës që në muajin dhjetor këto punime do të përfundojnë, ky projekt ende nuk është realizuar. Menaxheri i këtij projekti, Isa Berisha, vonesën e arsyeton me uljen e temperaturave.
Kolona të gjata dhe tollovi në qytet kanë shkaktuar punimet në rrugën te ura në Veternik. Menaxheri i projekti në Departamentin për menaxhimin e rrugëve nga Ministria e Infrastrukturës, Isa Berisha, tha për televizionin publik se kompania kontraktuese do t’i përfundojë punimet e parapara brenda 60 ditëve pasi që të përfundojë sezoni dimëror.
“Bazuar në planin dinamik dhe rrjedhjen e punimeve dhe përfundimin e periudhës së dimrit, besoj që kompania së bashku me Ministrinë e Infrastrukturës do t’i përfundojë punimet në afatin e paraparë, që janë edhe 60 ditë parapara të planifikimit nga pjesa kur përfundon sezoni dimëror”, tha Berisha.
Komandanti i Policisë së Trafikut Rrugor në Prishtinë, Milaim Fejzullahu, tha për televizionin publik se është fakt që punimet në rrugë po shkaktojnë kolona, por Policia po qëndron aty për qarkullim normal të trafikut si dhe në parandalim të aksidenteve.
“Ne si polici jemi akorduar që në kohën kulmore, prej orës 7-9 në mëngjes si dhe në mbrëmje prej orës 15-17, të jemi prezentë në këtë zonë, për shkak se janë duke u zhvilluar punimet ne këtë vëndpunishte dhe është e nevojshme që ne si polici te jemi aty në parandalim të aksidenteve por edhe në qarkullim normal të trafikut”, tha Fejzullahu.
Projekti i rrethrrotullimit të ri në Veternik do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës rreth 2.5 milionë euro dhe punimet ishin paraparë të përfundojnë në një afat kohor prej rreth 6 muajsh.